Shtëpia e Bardhë thotë se Trump përjashtoi trupat në terren në Ukrainë, por jo opsione të tjera ushtarake
Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, përsëriti sot se Presidenti Donald Trump ka “përjashtuar përfundimisht” dërgimin e trupave amerikane në Ukrainë si pjesë e çdo garancie sigurie për të arritur një marrëveshje paqeje me Rusinë, por ajo nuk përjashtoi opsione të tjera ushtarake, përfshirë ato në qiell.
“Është një opsion dhe një mundësi. Unë me siguri nuk do të përjashtoj asgjë për sa i përket opsioneve ushtarake që presidenti ka në dispozicion. Do ta lejoj atë ta bëjë këtë. Mund t’ju them se ai ka përjashtuar përfundimisht trupat në terren”, tha Leavitt në konferencën për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, kur u pyet për ofrimin e opsioneve “ajrore” nga SHBA-të si një formë sigurie për Ukrainën.
Vetë Trump tha më herët sot se mund të jepte garancinë e tij personale se nuk do të vendoste trupa amerikane në terren në Ukrainë për të zbatuar një marrëveshje paqeje me Rusinë.
Leavitt tha gjithashtu se Trump udhëzoi ekipin e tij të sigurisë kombëtare të koordinohej me Evropën dhe të vazhdonte të diskutonte çështjen me Ukrainën dhe Rusinë.
“Ne sigurisht që mund të ndihmojmë në koordinim dhe ndoshta të ofrojmë mjete të tjera garancish sigurie për aleatët tanë evropianë”, tha Leavitt. “Presidenti e kupton se garancitë e sigurisë janë thelbësore për të siguruar një paqe të qëndrueshme dhe ai e ka udhëzuar ekipin e tij të sigurisë kombëtare të koordinohet me miqtë tanë në Evropë dhe gjithashtu të vazhdojë të bashkëpunojë dhe të diskutojë këto çështje edhe me Ukrainën dhe Rusinë.”
Fraksion.com

