Trump bisedon me liderët evropianë: Nëse gjithçka shkon mirë sot, do të kemi një takim tripalësh
• Presidenti amerikan, Donald Trump, takon homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Shtëpinë e Bardhë për të folur për përfundimin e luftës ruse në Ukrainë. Trump, nuk e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në Ukrainë.
• Në mesin e liderëve evropianë që do t’i bashkohen takimit në Uashington janë Keir Starmer i Britanisë, Friedrich Merz i Gjermanisë dhe Emmanuel Macron i Francës.
• Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i takoi liderët kryesorë evropianë, për t’i bashkërenduar qëndrimet para takimit me presidentin amerikan, Donald Trump, në Uashington. Ai tha se mbështet synimet e Trumpit për “zgjidhje diplomatike”.
• Sipas të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff, Putini është pajtuar t’i lejojë SHBA-në dhe aleatët evropianë të ofrojnë garanci të sigurisë për Ukrainën.
• Në prag të takimit, Zelensky tha se sulmet ruse vranë 10 njerëz në qytetet ukrainase
Macron bën thirrje për një samit katërpalësh mes Ukrainës, Rusisë, SHBA-së dhe evropianëve
Presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministri britanik, Keir Starmer, bisedojnë gjatë një takimi me presidentin amerikan, Donald Trump.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, bëri thirrje për një takim katërpalësh mes Ukrainës, Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe evropianëve, si përgjigje ndaj synimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për të ulur në një tryezë presidentët e Ukrainës dhe Rusisë.
“Mendoj se si hap i radhës do të na duhet ndoshta një takim katërpalësh, sepse kur flasim për garanci sigurie, flasim për sigurinë e tërë kontinentit evropian”, tha Macron.
Merz kërkon armëpushim në Ukrainë
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, bëri thirrje për një armëpushim në Ukrainë para samitit të liderëve, duke kundërshtuar kështu thirrjen e presidentit amerikan, Donald Trump, për të punuar drejt një marrëveshjeje paqeje me Rusinë.
“Unë nuk mund ta imagjinoj që takimi i radhës të zhvillohet pa një armëpushim, prandaj të punojmë në këtë drejtim dhe të përpiqemi të ushtrojmë presion mbi Rusinë”, tha Merz.
Zelensky thotë se pati bisedë “shumë të mirë” me Trumpin
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se pati një “bisedë shumë të mirë” me presidentin amerikan, Donald Trump, para takimit të tyre shumëpalësh me liderët e tjerë evropianë.
“Mendoj se pata një bisedë shumë të mirë me presidentin Trump”, tha ai, duke shtuar se “diskutuam pika shumë delikate”.
Lideri ukrainas falënderoni vazhdimisht Trumpin për takimin me të.
Ai shtoi se Trumpi po përpiqet ta organizojë një takim trepalësh dhe se Ukraina do të ishte e lumtur nëse ai do të merrte pjesë.
Ai gjithashtu nënvizoi se i ka treguar Trump “shumë hollësi” mbi një hartë të fushës së betejës.
Trump thotë se garancitë e sigurisë dhe koncesionet territoriale, tema të diskutimit sot
Presidenti Donald Trump shpjegoi temat e bisedimeve të tij me liderët evropianë, duke thënë se do të bisedojnë për atë se “kush do të bëjë çfarë” si pjesë e garancive të sigurisë për Ukrainën dhe “mundësitë e shkëmbimeve territoriale” për ta përfunduar luftën në Ukrainë.
“Presidenti Putin pranoi që Rusia do të pranonte garancitë e sigurisë për Ukrainën. Dhe kjo është një nga pikat kryesore që duhet të shqyrtojmë, dhe ne do ta shqyrtojmë këtë në tryezë”, tha ai.
“Jam optimist që kolektivisht mund të arrijmë një marrëveshje që do të pengojë çdo agresion të ardhshëm ndaj Ukrainës, dhe unë në të vërtetë mendoj se nuk do të ketë”, shtoi Trump.
Fraksion.com

