Fotot prekëse që po bëjnë xhiron e botës, banori merr delen në krahë për ta shpëtuar nga zjarri
Zjarrfikësit në Greqi vijojnë të luftojnë me dhjetëra vatra zjarri që kanë përfshirë disa rajone të vendit që prej ditës së martë, përfshirë zona pranë qytetit të Patras dhe dy ishuj turistikë, Zakynthos dhe Chios.
Rreth 5,000 forca zjarrfikëse dhe 33 avionë janë angazhuar për të përballuar situatën, ndërsa erërat e forta dhe temperaturat e larta po e përkeqësojnë më tej situatën.
“Duket si dita e kiametit. Erdhëm nga Athina me shoqatën tonë vullnetare Kleisthenis, por nuk kemi çfarë të bëjmë më shumë. Zoti na ndihmoftë të gjithëve”, tha zjarrfikësi vullnetar Giorgos Karavanis.
Autoritetet urdhëruan evakuimin e një qyteti me rreth 7,700 banorë pranë Patras që të martën, ndërsa të mërkurën u dhanë alarme të reja për dy fshatra të afërta. Në ishullin Chios, roja bregdetare ka përdorur anije për të evakuuar banorët, ndërsa flakët kanë arritur deri në vijën bregdetare.
Situata mbetet kritike në shumë pjesë të Greqisë, ndërkohë që vende të tjera të Evropës si Spanja, Portugalia, Turqia dhe vendet e Ballkanit, përfshirë Shqipërinë dhe Malin e Zi, po përballen gjithashtu me zjarre të fuqishme për shkak të temperaturave ekstreme që në shumë raste kalojnë 40°C.








