Zjarret masive në Gramsh, fillon evakuimi i banorëve dhe bagëtive në fshatin Nartë, përkeqësohet situata
Situata e zjarreve në bashkinë e Gramshit nga ora në orë po vijon të përkeqësohet në mënyrë dramatike. Burime zyrtare konfirmuan mesditën e sotme se ka nisur evakuimi i banorëve dhe i gjësë së gjallë në fshatin Nartë, ndërsa flakët po përparojnë me shpejtësi drejt zonave të banuara.
Tashmë, rreziku është mjaft i madh drejt Nartës, ku janë vendosur me urgjencë për të përballuar situatën e krijuar dy mjete zjarrfikëse. Ato janë pozicionuar në krahun e sipërm të fshatit, me qëllim frenimin e përhapjes së flakëve në drejtim të banesave dhe pasurive të mbetura ende të padëmtuata .
Ndërkohë, 3 mjete zjarrfikëse janë pozicionuar mbi fshatin Skënderbegas,por për momentin nuk mund të zbresin në fshat për shkak të bllokimit të rrugës, si rezultat i flakëve dhe terrenit të vështirë.
Ky bllokim po pengon seriozisht ndërhyrjen në një nga pikat më kritike të situatës.Autoritetet vendore dhe strukturat e emergjencës janë në ndjekje të përhershme të zhvillimeve në terren, ndërsa çdo orë e mëtejshme e shton rrezikun për përhapjen e zjarreve në zona të reja.
Gramshi po kalon një nga momentet më të vështira të kësaj vere, me forcat e shërbimit zjarrfikës, ushtrinë, vullnetarët dhe banorët që luftojnë në vijën e parë të zjarrit për të mbrojtur jetën,pronën dhe trashëgiminë natyrore të zonës.Situata mbetet kritike dhe dinamike.
Çdo mbështetje dhe ndihmë në logjistikë, burime njerëzore apo teknike është e domosdoshme për të përballuar këtë emergjencë në shkallë të gjerë.
Autoritetet vendore dhe qëndrore garantojnë banorët e fshatrave të goditur nga kjo fatkeqësi e rëndë se do të jenë pranë tyre në këto momente të vështira për ti kapërcyer në kohë rekord pasojat dhe vështirësitë e krijuara dhe po bëhet e pamundura për të evituar rrezikun për jetën e atyre qytetarëve që ndodhen ende në zonat e ” “pushtuara ” nga flakët.
Fraksion.com

