Rama: 10 autorë të zjarrvënieve u arrestuan, 4 u proceduan gjatë 24 orëve të fundit
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se, gjatë 24 orëve të fundit, strukturat e Policisë kanë identifikuar 14 autorë të zjarrvënieve.
Kreu i qeverisë theksoi se, 10 prej tyre janë arrestuar, ndërsa 4 janë proceduar penalisht.
Rama nënvizoi në një postim në rrjetet sociale se, Forca Kombëtare e Sigurisë, Shqiponjat, Patrullat e Përgjithshme dhe Forcat Operacionale janë në terren, duke ndihmuar në evakuimin e banorëve dhe mbështetur Emergjencat Civile e Zjarrfikësit për shuarjen e flakëve.
Më herët përmes një reagimi kryeministri theksoi se, ata që ndezin zjarre qëllimisht duhet të marrin dënimin më të rëndë që parashikon ligji.
“Ata që ndezin zjarre qëllimisht, shkatërrojnë pasurinë dhe rrezikojnë jetë, në këtë kohë të vështirë ngrohjeje globale dhe flakësh që po sfidojnë të gjitha shtetet e Mesdheut sidomos, duhet të marrin dënimin më të rëndë që parashikon ligji”, shkroi Rama.
Fraksiin.com

