Në prag të takimit Trump-Putin në Alaskë, Rusia dërgon sinjale
“Përshëndetje, jam Burt Lancaster. Aleanca që fitoi Luftën e Dytë Botërore u formua nga këta tri burra: Winston Churchill, Franklin Delano Roosevelt dhe Joseph Stalin.”
Çfarë rastësie! Mbrëmjen e së hënës dhe së martës, televizioni publik rus transmetoi një episod të bashkëprodhimit të famshëm sovjetiko-amerikan të vitit 1978, “Unknown War”, shkruan Il Corriere della Sera. Një dokumentar i krijuar për të njohur publikun perëndimor me aktet e Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore. Dhe nuk ishte një episod i zakonshëm nga 20 që janë prodhuar duke përdorur xhirimet e regjisorëve që ndiqnin Ushtrinë e Kuqe. Ishte episodi i 17-të, “Aleatët” që rikujton hapjen e trazuar të Frontit të Dytë në Europë, duke treguar transportin masiv të mjeteve ajrore amerikane nga Alaska për të ndihmuar trupat sovjetike.
Mesazhi për fundin e mundshëm të Operacionit Special Ushtarak është dërguar. Në Rusinë e sotme, ashtu si me Bashkimin Sovjetik, opinioni publik përgatitet më herët. Në këtë rast, për rezultatin e takimit në Alaskë. Të gatshëm për të kënaqur miqtë amerikanë, edhe pse për 20 vitet e fundit i kanë quajtur si Djalli i Madh. Do të jetë “një maratonë pazari”, tha gazeta.ru. Por nuk ka dyshime për fituesin. Të gjitha mediat kryesore kombëtare po flasin për situatën e pashpresë që pret Volodymyr Zelensky dhe ambiciet e aleatëve të tij europianë.
Ukraina dhe Bashkimi Europian janë thjesht dy pengesa në rrugën e paqes “alla” ruse. Ministri i Jashtëm, Sergey Ryabkov në një intervistë për gazetën Izvestia, pranon se samiti do të jetë “paraprak” dhe se një samit Rusi-Ukrainë “do të jetë i pashmangshëm” për t’i dhënë fund konfliktit. Por qetësisht, pa nxitim. Sepse në atmosferën e optimizmit të përgjithshëm që është ndezur nga vendimi i Trump për t’u takuar me Putin, të gjithë ekspertët rusë bien dakord për pashmangshmërinë e koncensioneve territoriale nga qeveria e Kievit, refuzimi i së cilës do të përkeqësojë situatën e forcave të saj të armatosura.
Fjalët e Leonid Slutsky, drejtues të Komitetit të Duma për Punët e Jashtme, pasqyrojnë atmosferën. “Vendosja e presionit ndaj vendit tonë ose të folurit me gjuhën e ultimatumeve është e kotë. Është e qartë se regjimi i Zelensky është i dënuar për t’u mposhtur ushtarakisht. Por skifterët europianë do të përpiqen ta zgjasin agoninë për hir të ambicieve të tyre.”
Në optimizmin e përgjithshëm, analiza e shtruar e profesorit të politikave të jashtshme, Vladimir Priakhin nga Universiteti i Moskës në gazetën Nezavisimaya Gazeta, tingëllon si çudi. “Siç Putin tha së fundmi, politika e tanishme amerikane shpesh karakterizohet nga zhgënjimi që buron nga pritshmëritë e ekzagjeruara. Ne duhet të frenohemi nga të qenët tepër optimistë për rezultatin e mundshëm e negociatave për Ukrainën. Ne jemi me gjasë në fillim të një rruge të vështirë drejt zgjidhjes.”
Nga ana tjetër,Trump bëri një gjysmë-mrekulli. Ditën para njoftimit, çdo gjë “rrezikonte recesion për 2026”, “borxhi publik i Rusisë rritet me një trilion rubla” dhe “industria ruse po zhytet në pesimizëm.” Tani, falë një aleati të ri, askush nuk flet më për këtë.
Fraksion.com

