AktualitetTë fundit

Flakët bllokojnë ekipet e shpëtimit në Gramsh, drejt vendngjarjes Vengu e Çako

Në 24 orët e fundit janë evidentuar 50 vatra zjarri në të gjithë vendin, nga të cilat 19 janë ende aktive. Situata paraqitet kritike në disa zona.

Situata më problematike është në Gramsh, ku flakët kanë marrë përmasa të mëdha dhe kanë dalë jashtë kontrollit dhe situata vijon të rëndohet.

Për shkak të dy fronteve të rrezikshme të zjarrit, Ministria e Mbrojtjes ka urdhëruar evakuimin e banorëve në tre fshatra; në Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë.

Si pasojë e flakëve që janë përhapur me shpejtësi bëhet me dije se kanë mbetur të bllokuar edhe ekipet që kishin shkuar për të evakuuar banorët.

Raportohet se 4 helikopterë janë nisur në ndihmë të zjarrfikësve.

Drejt vendngjarjes janë nisur ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu dhe kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako.

 

Edhe në Finiq, situata paraqitet e rënduar. Në Pecë rrezikohen disa shtëpi, ndërkohë që flakët vijojnë edhe në fshatin Kardhikaq. Në Fushë Arrëz, zjarri që vijon prej ditës së djeshme në fshatin Xath, është përhapur për shkak të erës së fortë. Shefi i Shërbimit Zjarrfikës të Fushë Arrëzit, Alfred Qafa tha për Report TV se situata është kritike.

Në parkun e “Rëzom” (zonë e mbrojtur), mbi tunelin e Skërficës vazhdon zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe pyje, terreni i thyer e bën të pamundur ndërhyrjen nga toka. Situata po monitorohet dhe paraqitet e qëndrueshme.

Në Malin me Gropa në Biz të Martaneshit në zonë të mbrojtur vazhdon aktive kjo vatër zjarri, që është zhvilluar me intensitet mbi fshatin Val, larg zonave të banuara në një zonë shkëmbore ku digjen, bimë më të rralla dhe barishte.

Në fshatin Xibër të Klosit vatra e zjarrit është izoluar dhe po mbahet në monitorim nga autoritetet vendore.

Në fshatin Rehovë të Poliçanit zjarri ka përparuar në afërsi të banesave. Është bërë evakuimi i banorëve gjatë dhe kanë operuar forca operacionale vendore.

Në Tiranë vijon aktiv zjarri në vendin e quajtur “Mali i Bërzhitës”, ku forcat operacionale vijojnë punën për shuarjen e tij.

Në fshatin Stërbeg të Rrogozhinës zjarri ka kaluar në fshatin Spanesh. Në vendngjarje ndodhen forca dhe mjete nga MZSH Rrogozhinë të cilët po punojnë për shuarjen e zjarrit.

Në fshatin Hajdaraj të Kavajës, vatrat janë drejt shuarjes së plotë, ku forcat në terren janë mbështetur edhe nga ajri, me një avion, që po punon aktualisht për shuarjen e vatrës së fundit.

Në lartësitë e fshatit Damjan dhe Isufaj, në Vaqarr, ka rënë një zjarr i përmasave të mëdha. Aktualisht, edhe pse terreni është i vështirë, po veprojnë 6 mjete dhe rreth 40 forca nga strukturat operacionale si dhe një avion Canadair kroat.

Në fshatrat Ferraj dhe Zall-Herr, të Tiranës, në zjarrin e përhapur në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, po operojnë në automjete zjarrfikëse nga MZSH, por situata paraqitet e ndërlikuar dhe rrezikohen banesa. Forcave në terren u janë bashkuar 2 helikopterë Black Hawk të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Në kodrat e Selitës, në Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Nuk ka akses për kalueshmëri mjetesh. Situata po monitorohet nga forcat bashkiake.

Në fshatin Barkanesh të Krujës është aktivizuar një vatër zjarri në terren të vështirë, ku po veprojnë  mjete dhe forca operacionale vendore.

Në fshatin Turan të Tepelenës ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit, i cili u përhap në drejtim të fshatit Lekel dhe Koder, ku u dogjën dy stalla, por me dëme minimale në bagëti. Në terren operuan rreth 100 forca dhe mjete nga gjithë qarku Gjirokastër, dhe sot vijon puna të ndihmuar nga dy helikopterët çek dhe sllovak.

Në fshatrat Mukaj dhe Sojnik të Gramshit, zjarri vijon aktiv në sipërfaqe me shkurre dhe ferr, ku operuan forcat operacionale punuan zjarrfikës të Gramshit të mbështetur nga 25 efektivë të FA Elbasan.

Një vatër zjarri është aktivizuar në hyrje të Pukës, ku po vijojnë punën forcat operacionale vendore. Situata është në kontroll dhe nuk paraqet rrezik.

Në fshatin Xath të Fushë-Arrëzit ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pisha, që nuk e mundëson ndërhyrjen nga forcat tokësore. Situata ka qenë shumë e vështirë dhe zjarri ka marrë përmasa. Përveç afro 80 forcave operacionale vendore sot po operojnë edhe  65 forca të FA, me 2 mjete zjarrfikëse.

Në fshatin Gegaj të Tropojës është aktivizuar një vatër zjarri, por pa rrezik për banesat. Janë angazhuar rreth 60 forca nga strukturat operacionale vendore  dhe 5 mjete zjarrfikëse. Vatra ngelet aktive por e izoluar dhe pa rrezik për përhapje.

Në fshatin Shëmri të Kukës një vatër zjarri në zonë pyjore në vendin e quajtur Maja e Zezë, vazhdon të jetë në monitorim.

Në fshatin Gërmenj të Kolonjës është aktivizuar një vatër zjarri në një sipërfaqe me pyje pishe. Terreni është i vështirë dhe forcat operacionale e kanë të pamundur ndërhyrjen. Situata është në mbikëqyrje.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 82 automjete zjarrfikëse dhe 1080 forca operacionale.

Mjete ajrore që kanë operuar gjatë ditës së djeshme:

– 1 Avion Canadair kroat

– 2 Avionë PZL grekë

– 1 Black Hawk nga Republika Çeke

– 1 Black Hawk nga Sllovakia

– 2 Black Hawk nga Forcat e Armatosura te Shqipërisë

Pritet të operojnë sot :

– 2 Black Hawk nga Emiratet e Bashkuara Arabe

– 1 Black Hawk nga Republika Çeke

– 1 Black Hawk nga Sllovakia

– 2 Black Hawk nga Forcat e Armatosura te Shqipërisë

Sipas informacionit të  IGJEO-s, sot nuk priten reshje. Sa u përket zjarreve  në pyje, pritet nivel rrezik i “lartë” në të gjitha qarqet. Nё disa qarqe pritet rrezik “shumë i lartë” vetёm nё zona tё lokalizuara, konkretisht: qarku  Shkodër (Jug), qarku Lezhë (Veri), qarku Elbasan (Perëndim).

Temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 41 °C në vendet e ulëta.

 

Fraksion.com

 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com