Depozitat e shqiptarëve në Dollarë Amerikanë rritje në nivel rekord
Depozitat në Dollarë Amerikanë në Shqipëri kanë shënuar një rritje të ndjeshme gjatë gjysmës së parë të vitit 2025, duke arritur në 838 milionë dollarë në fund të qershorit.
Në një artikull të publikuar nga Monitor.al, që i referohet të dhënave nga Banka e Shqipërisë, thuhet se kjo përfaqëson një rritje prej 14.5% që nga janari dhe 21.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke e çuar vlerën e tyre pranë nivelit më të lartë të dekadës.
Rritja dominohet nga individët, të cilët zotërojnë 68% të totalit të depozitave në dollarë, me një rritje vjetore prej 23.2%.
Faktorët që ndikojnë këtë prirje përfshijnë normat më të larta të interesit për depozitat në dollar amerikanë (deri në 2.7%), si dhe tërheqjen ndaj instrumenteve financiare alternative. Investimet në kriptomonedha, veçanërisht bitcoin-in, mund të kenë luajtur rol kyç, pasi rritja e vlerës së tyre mund të ketë nxitur konvertimin e tyre në para fizike dhe riatdhesimin e fondeve në banka shqiptare. Kriptovaluta kryesore, bitcoin, tashmë këmbehet me afërsisht 117 mijë dollarë.
Burime të tjera për rritjen e depozitave në dollarë përfshijnë prurjet nga shërbimet e jashtme me kompani jashtë BE-së dhe eksportet e mallrave të kuotuara në Dolalrë. Paralelisht, edhe depozitat në Euro kanë vazhduar rritjen, duke arritur në 8.12 miliardë euro, ndonëse me ritme më të ngadalta (7.5%). Rritja e përgjithshme e depozitave në valutë lidhet ngushtë me flukset valutore në ekonomi, sidomos nga turizmi dhe tregu i pasurive të paluajtshme.
Fraksion.com

