Rrethohet godina e News24, kërkohet dorëzimi i saj te shoqëria “KAYO”
Ditën e sotme, policia ka rrethuar dhe ka kërkuar lirimin e godinës së televizionit News24 ku ndodhen edhe revista Panorama dhe Balkan Web, duke ndërprerë sinjalin.
Ky hap vjen pasi kontrata e grupit mediatik për godinën, që dikur ishte ajo e Uzinës së ish-Autotraktorëve, ka disa vite që ka mbaruar dhe për lirimin e së cilës ka një vendim gjykate.
Shoqëria “KAYO” ka kërkuar nga policia dorëzimin e godinës. Kjo e fundit i ka kaluar kompanisë së prodhimit të armëve me vendim të qeverisë për përdorimin e saj në funksion të shoqërisë.
Ndërkohë News24 ka deklaruar se uniformat blu nuk kanë lejuar futjen e gazetarëve në redaksi teksa prania e policisë sipas tyre ka qenë “pa paralajmërim dhe pa vendim gjykate”.
Reagojnë shoqatat e gazetarëve
“Ne po ndjekim me vëmendje komunikimin dhe sqarimet e palëve në këtë përplasje e cila ka një histori pararendëse. UGSH është në alert për lirinë e medias dhe të ushtrimit të funksionit për gazetarët e këtij seti mediatik”, njoftoi zyra informuese e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë.
Asociacioni kërkoi largimin e policisë dhe që gazetarët dhe ekipi mediatik të lejohen të vijojnë transmetimet.
Sali Berisha: Rama, xhelat i fjalës së lirë
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama duke e konsideruar një “akt prej xhelati ndaj fjalës së lirë”.
Ai kërkoi largimin e forcave policore nga territori i televizionit si dhe lirimin e sinjalit të televizionit.
“Partia Demokratike ju bën thirrje të gjitha organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare që qëndrojnë për fjalën e lirë të dënojnë me forcën më të madhe aktin primitiv të Edi Ramës, kreu i narkoshtetit të parë dhe të vetëm të Europës dhe të kërkojnë lirimin e menjëhershëm të sinjalit të televizionit Neës24”, tha Berisha.
Fraksion.com

