SPAK i komunikoi akuzat, Ish-presidenti Ilir Meta kërkon të dalë nga qelia, avokatët bëjnë kërkesë për lehtësimin e masës së sigurisë
Përfaqësuesit ligjore të presidentit të Partisë së Lirisë Ilir Meta depozituan sot pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurisë.
Kjo kërkesë është paraqitur duke nisur nga fakti që Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet ndaj Metës dhe i ka komunikuar akuzat. Sipas përfaqësuesve ligjor “nevojat për ta mbajtur Metën akoma nën paraburgim nuk kanë më asnjë kuptim procedural”.
Ish-presidenti ndodhet në burg që prej tetorit të vitit të shkuar, për dosjen CEZ/DIA dhe lobimit në SHBA.
Presidenti i PL akuzohet nga SPAK për “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje dhe deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.
Vetë Meta i ka cilësuar akuzat si politike dhe se nuk ka asnjë fakt penal ndaj tij.
Fraksion.com

