Rama ndan pamje nga lirimi i hapësirave publike: Si mund të futet në bark i tërë trotuari deri tek bordura!?
Puna për lirimin e hapësirave publike nga tavolinat dhe karriget që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët, vazhdon në të gjithë vendin.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje të një tjetër aksioni për lirimin e hapësirave publike, ndërsa shkruan: “Po si mund të futet në bark i tërë trotuari deri tek bordura! Vazhdojmë”.
Në videon e publikuar në rrjetet sociale, shfaqet një fadromë që shemb strukturën metalike të një subjekti privat i llojit, bar-kafene. Struktura metalike dhe ajo e xhamit, ku më parë ishin pozicionuar tavolina dhe karrige, tashmë janë shembur, duke i rikthyer qytetarëve dhe komunitetit plotësisht hapësirën e trotuarit.
Lirimi i hapësirave publike shihet si pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”.
Në këtë kuadër, Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.
Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.
Lirimi i hapësirave publike ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.
Fraksion.com

