AktualitetTë fundit

Avokati merrte para për të ndikuar te gjyqtarët, SPAK e dërgon për gjykim

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pas përfundimit të hetimeve ka dërguar për gjykim avokatin Bardhi Koçi, i cili merrte para për të ndërhyrë te gjyqtarë duke ndikuar. Gjithashtu është dërguar për gjykim edhe qytetarja Pranvera Meshi, e cila kishte paguar avokatin që ai të ndikonte të një gjyqtar i Tiranës për një çështje ndaj saj.

SPAK akuzon Bardhi Koçin për veprën penale, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, (tre episode) dhe Pranvera Meshin,  për veprën penale, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

SPAK njoftoi se “në vijim të hetimeve përmes aplikimit të metodave speciale të hetimit është dokumentuar kryerja e veprës penale, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer nga shtetasit, Pranvera Meshi dhe Bardhi Koçi”.

“Shtetasja Pranvera Meshi, në kohën e kryerjes së veprës penale po gjykohej në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e akuzuar për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve shëndetësore”.

“Bardhi Koçi, me profesion avokat (i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ishte  i punësuar me detyrë Auditues në Kontrollin e Lartë të Shtetit) ka kërkuar nga shtetasja Pranvera Meshi, shumën prej 1500 (një mijë e pesëqind) euro dhe ka marrë prej saj në formën e përfitimit të parregullt, shumën paraprake prej 1000 (një mijë) eurosh, me qëllim ushtrimin e ndikimit në vendimmarrjen e gjyqtarit, i cili po shqyrtonte çështjen në ngarkim të saj”, njoftoi SPAK.

Sipas SPAK “Bardhi Koçi, ka kërkuar nga shtetasi A.M., shumën prej 1300 (një mijë e treqind) eurosh, me qëllim ushtrimin e ndikimit tek dy funksionarë të sistemit të drejtësisë, me qëllim përshpejtimin e seancës gjyqësore për caktimin e masës së sigurimit personal ndaj shtetases N.M., e arrestuar për veprën penale, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt””.

Gjithashtu njoftoi SPAK “Bardhi Koçi ka marrë përfitime të parregullta nga shtetasi, R.G., me qëllim ushtrimin e ndikimit tek ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore. Ky ndikim kishte të bënte me nxjerrjen e aktit të ekspertimit kimik për një sasi lënde narkotike, e cila i ishte sekuestruar shtetasit B.G, i dyshuar për veprën penale, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt””.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bëri të ditur se ka dokumentuar dy episode të tjera të kryerjes së veprës penale, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, nga Bardhi Koçi dhe po vijon hetimet për dokumentimin e rrethanave dhe fakteve të tjera që kanë dalë nga hetimet e kryera lidhur me këtë procedim penal.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com