AktualitetPolitikëTë fundit

Kodi i ri Penal, Rama: Drafti i ekspertëve është hedhur për të mbledhur opinione

Kryeministri Edi Rama reagoi sërish sot ndaj kontestimeve lidhur me draftin e Kodit të ri Penal.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama u shpreh se “drafti i ekspertëve të nderuar të fushës është prezantuar publikisht pikërisht për të mbledhur në mënyrën më demokratike dhe transparente të mundshme të gjitha opinionet rreth tij”.

“Të alarmuarit nga drafti i Kodit të ri Penal dhe gojëmbyllja me ligj e forcave liridashëse politike dhe mediatike, mbase duhet të kujdesen që të mos ekspozohen shumë në diell, ndërkohë që drafti i ekspertëve të nderuar të fushës është prezantuar publikisht pikërisht për të mbledhur në mënyrën më demokratike dhe transparente të mundshme të gjitha opinionet rreth tij”, u shpreh Kryeministri.

Rama nënvizoi se “hëpërhë problem më serioz që ka liria në Shqipëri nuk është as regjimi, as drafti i kodit të ri jo e jo, po masa domethënëse e atyre që e përdorin lirinë vetëm për të bërë sherr e shamata për mungesën e saj”.

Drafti i parë i Kodit të ri Penal u paraqit më 25 korrik pas një pune voluminoze disavjeçare nga një grup ekspertësh i udhëhequr nga Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Profesor Arben Rakipi.

Drafti u hodh për konsultim nga Ministria e Drejtësisë me aktorët e sistemit të drejtësisë, partnerët ndërkombëtarë, universitetet, shoqërinë civile, mediat dhe qeverinë si pjesë e angazhimeve të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe një domosdoshmëri për forcimin e Shtetit të së Drejtës.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com