AktualitetPolitikëTë fundit

“Detyrim paraqitje”, Sali Berisha pas daljes nga SPAK: Po fshihen krime monstruoze të prokurorëve

Ish-kryeministri dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit sot në ambientet e SPAK, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, të caktuar nga Gjykata. I shoqëruar nga avokati i tij, Genc Gjokutaj, Berisha realizoi paraqitjen periodike në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të procedurave hetimore që janë ende në zhvillim.

Ashtu si në herët e tjera, Berisha u prit jashtë ambienteve të SPAK-ut nga mbështetësit e tij, me të cilët u përshëndet.

“Tani, kjo nuk ka të bëjë me asnjë nga gjykatësit si person i veçantë, besoj se jam i qartë.

Kjo ka të bëjë me një parim që nuk ekziston kund në botë përveçse në Shqipëri, që gjykatësi, të cilit i dorëzohet dosja, i kontrollohet korrespondenca dhe telefoni nga prokurori që i dorëzon dosjen.

Kjo nuk mund të ndodhë. Kjo është një drejtësi, unë nuk mund të them, por ndoshta edhe në diktaturë nuk ka ekzistuar e tillë. Por kjo është absolutisht në kundërshtim me çdo parim.

Sigurisht që unë do të luftoj gjer në fund, nuk e kam për veten time, për një parim ndërkombëtar të drejtësisë për çdo qytetar shqiptar. Askush nuk duhet të jetë jashtë kontrollit ligjor.

Sot jashtë kontrollit ligjor është vetëm një grup këtu i skapistëve, të cilët me dokumente zyrtare fshehin krime monstruoze të prokurorëve që punojnë këtu. Kështu pra, çdo gjykatë, e cila është në kontrollin e prokurorit që çon dosjen, ka të njëjtin trajtim nga ne.

Sigurisht këta do marrin këto vendime, por zgjidhja është të krijohen trupa gjykuese jashtë kontrollit të tyre. Se këta kontrollojnë gjykatën speciale, nuk kontrollojnë gjykatën e Tiranës.

Por kjo do shkojë në gjykatën ndërkombëtare në Strasburg, do jetë çështje kryesore në Këshillin e Europës dhe afërmendshi do marrë turpin e tij me deklaratën që bëri afërmendsh”-u shpreh Berisha para SPAK.

Ish-kryeministri dhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzohet se gjatë kohës që mbante postin e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete për miratimin e ligjeve dhe akteve nënligjore, nga të cilat ka përfituar dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, në ndërtimin e pallateve në truallin e ish-kompleksit sportiv Partizani.

Edhe vetë Malltezi përballet me akuza për korrupsion dhe pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar në mënyrë të paligjshme rreth 5.4 milionë euro përmes një projekti ndërtimi, përfitime që lidhen me vendime të marra nga qeveria e drejtuar në atë kohë nga vjehrri i tij.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com