AktualitetBota+Të fundit

“Nuk çarmatosemi pa shtet palestinez”, Hamasi publikon videon e dytë të një pengu izraelit.Familjarët reagojnë mes thirrjeve për marrëveshje

Hamasi ka publikuar videon e dytë brenda dy ditësh të një pengu izraelit, duke deklaruar se nuk do të çarmatoset derisa të krijohet një shtet i pavarur palestinez.

Ndërkohë, negociatat indirekte mes Hamasit dhe Izraelit për një armëpushim 60-ditor dhe lirimin e pengjeve mbetën në ngërç.

Situata humanitare në Gaza vazhdon të përkeqësohet. Kufizimet izraelite për futjen e ndihmave dhe mallrave po çojnë në mungesa të thella ushqimi dhe produkteve bazë. Ekspertët e ushqimit të mbështetur nga OKB-ja paralajmëruan këtë javë se “skenari më i keq i urisë” është tashmë në zhvillim.

Hamasi ka përdorur videot e pengjeve për të tërhequr vëmendjen ndaj kësaj krize, duke theksuar se pengjet po vuajnë nga uria së bashku me kapësit e tyre dhe se koha për një armëpushim po mbaron, transmeton The Guardian.

Familja e Davidit ka bërë thirrje që ndihmat që po hyjnë në Gaza përmes konvojeve të OKB-së dhe dërgesave ajrore, të arrijnë edhe te djali i tyre. “Ata janë në prag të vdekjes,” tha vëllai i tij, Ilay, gjatë një proteste në Tel Aviv, ku mijëra njerëz kërkuan lirimin e menjëhershëm të pengjeve.

Nga 251 pengjet e rrëmbyer gjatë sulmit të Hamasit, 49 mbeten ende në Gaza, ndërsa 27 prej tyre konsiderohen të vdekur nga ushtria izraelite.

Ndërkohë, i dërguari i Presidentit Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, tha të shtunën se po punon me qeverinë izraelite për një plan që synon t’i japë fund luftës në Gaza. Witkoff u takua me Kryeministrin Netanyahu dhe vizitoi një qendër ndihmash të menaxhuar nga Fondacioni Humanitar i Gazës, i mbështetur nga SHBA dhe Izraeli.

Zemërimi global është rritur për shkak të kufizimeve të ndihmave dhe viktimave të shumta përreth pikave të shpërndarjes. Sipas OKB-së, që nga fundi i majit, 859 palestinezë janë vrarë në këto zona dhe mbi 500 të tjerë përgjatë rrugëve të konvojeve të ushqimit.

Të shtunën, spitalet në Gaza raportuan më shumë se një duzinë viktimash nga zjarri izraelit, përfshirë tetë persona që u qëlluan teksa përpiqeshin të merrnin ushqim.

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com