AktualitetTë fundit

Situata nga zjarret, BE aktivizoi pesë avionë, dy helikopterë dhe mbështetje satelitore për Shqipërinë

Për përballimin e situatës së zjarreve gjatë periudhës 21 dhe 31 korrik 2025, Bashkimi Evropian mobilizoi edhe në Shqipëri avionë zjarrfikës, helikopterë, si dhe mbështetje satelitore përmes sistemit “Copernicus”.

Delegacioni i Bashkimit Euopian në Tiranë bëri sot të ditur se në total gjashtë vende, përfshirë Shqipërinë, u përballën me zjarre të rënda dhe aktivizuan Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së.

“Si reagim, Bashkimi Evropian mobilizoi avionë zjarrfikës, 2 helikopterë, ekipe nga terreni dhe mbështetje satelitore nga e gjithë Evropa, për të ndihmuar në përballimin e situatës dhe mbrojtjen e komuniteteve të prekura”, thuhet në njoftimin për shtyp të BE-së.

Konkretisht në Shqipëri u angazhuan pesë avionë zjarrfikës nga Greqia, Italia dhe Kroacia, helikopterë nga Hungaria, si dhe mbështetje me imazhe satelitore përmes sistemit “Copernicus”.

“Ky reagim i shpejtë dhe i koordinuar dëshmon përkushtimin e palëkundur të Bashkimit Evropian për të qëndruar pranë vendeve partnere në momente sfiduese, duke ofruar jo vetëm mjete dhe kapacitete, por edhe solidaritet, bashkëpunim dhe mbështetje afatgjatë”, thuhet në njoftimin për shtyp të Delegacionit të BE-së në Tiranë.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com