Fshihnin të ardhurat që përfitonin nga këmbimi i valutave, në hetim tetë administratorë subjektesh në Elbasan
Tetë administratorë subjektesh janë proceduar penalisht në Elbasan pasi fshihnin të ardhurat që përfitonin nga këmbimi i valutave.
Policia e Elbasanit njoftoi sot se në kuadër të operacionit të koduar “The Script”, janë ushtruar kontrolle në disa subjekte për këmbimin e valutave (exchange), në qytetin e Elbasanit.
“Nga kontrollet rezultoi se administratorët e 8 subjekteve të tilla nuk deklaronin të ardhurat që përfitonin. Në përfundim të veprimeve për këto raste, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për administratorët e 8 subjekteve, shtetasit: K. B., 65 vjeç, S. T., 56 vjeç, I. I., 64 vjeç, R. T., 59 vjeç, A. T., 66 vjeç, E. Z., 22 vjeç, N. B., 37 vjeç dhe Z. B., 40 vjeç, të gjithë banues në Elbasan”, njoftoi Policia.
Sipas Policisë, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar rreth 54 000 000 lekë në valuta të ndryshme (lekë, euro, dollarë amerikanë, franga zvicerane, paund britanik, lira turke etj.), dhe 1 armë sportive pistoletë me fishekë manovër, që u gjet gjatë kontrollit në subjektin e shtetasit A. T.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Fraksion.com

