AktualitetTë fundit

Në kërkim nga Italia për disa vepra penale, arrestohet 52-vjeçari në Cërrik

Një 52-vjeçar është arrestuar në Cërrik pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane për disa vepra të rënda penale.

Policia njoftoi sot se “strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, finalizuan operacionin e radhës, të koduar “Operacionalja 56””.

“Në kuadër të këtij operacioni, në Cërrik, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit A. K., 52 vjeç, banues në Cërrik”, njoftoi policia.

Sipas policisë ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi autoritetet italiane kanë lëshuar urdhër arresti ndaj tij, për veprat penale “Dhuna seksuale”, “Rrëmbim personi”, “Vjedhja” dhe “Shkelja e rregullave për armët”.

“Për këto vepra penale, Kodi Penal i Italisë parashikon dënim maksimal deri në 15 vjet burgim”, njoftoi policia.

Interpol Tirana vijon procedurat në bashkëpunim me autoritetet italiane, për ekstradimin e këtij shtetasi.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com