AktualitetKosovaTë fundit

BE dhe Gjermania: Kosova ka nevojë urgjente për institucione funksionale

Dështimi i 52-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka nxitur reagime të ashpra nga përfaqësuesit diplomatikë të Bashkimit Evropian dhe Gjermanisë në Prishtinë, të cilët e cilësuan këtë situatë si të papranueshme dhe zhgënjyese për qytetarët.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, tha pas përfundimit të seancës të premten se “Kosovës i duhet një Kuvend pak a shumë menjëherë” dhe theksoi nevojën për një qeveri të re që do t’i forconte marrëdhëniet me Brukselin.

“Një qeveri e re që do ta ndërtojë një urë të re dhe të fortë mes Kosovës dhe BE-së”, deklaroi Orav pas seancës së mbajtur të premten.

Ngjashëm u shpreh edhe ambasadori gjerman, Jorn Rohde, i cili vlerësoi se klasa politike po dështon përballë qytetarëve.

“Qytetarët dolën për të votuar më 9 shkurt dhe tani janë bërë gati gjashtë muaj. Është fatkeqësi që Kuvendi nuk po konstituohet”, tha ai.

Rohde komentoi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila një ditë më parë vendosi masë të përkohshme duke ndaluar çdo veprim të deputetëve për konstituimin e Kuvendit nga data 27 korrik deri më 8 gusht.

Sipas saj, nëse nuk do të vendosej kjo masë, çdo vendim i ndërmarrë pas 26 korrikut e deri në vendimmarrjen e Gjykatës, lidhur me kërkesat që i janë parashtruar, “mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues”.

“Ky është një karton i kuq për klasën politike”, tha Rohde, duke theksuar urgjencën për formimin e institucioneve.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë nga Shtetet e Bashkuara, BE-ja, Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca ishin të pranishëm në seancën e së premtes, e cila dështoi një ditë para përfundimit të afatit 30-ditor të përcaktuar nga Kushtetuesja për konstituimin e Kuvendit.

Megjithëse Lëvizjes Vetëvendosje i takon pozita e kryeparlamentarit, partitë tjera ose kundërshtojnë emrin e propozuar, atë të Albulena Haxhiut, ose ndryshimin e mënyrës së votimit për të – nga i hapur në të fshehtë.

Meqë kanë mbetur më pak se 48 orë para se të fuqizohet masa e përkohshme e Kushtetueses, kryesuesi i seancës Avni Dehari, e ka thirrur seancën e radhës, të 53-ën me radhë, për nesër, të shtunën, në orën 14:00.

Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re./REL

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com