Aeroporti i Mynihut do të ketë terminal dëbimi
Aeroporti i Mynihut planifikon të ndërtojë një ndërtesë për policinë federale, tha të mërkurën një zëdhënës i kompanisë. Pronari kryesor i aeroportit është Shteti i Lirë i Bavarisë, ndërsa qeveria federale dhe qyteti i Mynihut mbajnë aksione minoritare. Ministri i Brendshëm i Bavarisë Joachim Herrmann dhe Ministri i Brendshëm gjerman Alexander Dobrindt, të dy nga partia CSU, kërkojnë rregullisht dëbimin e rreptë të azilkërkuesve të refuzuar dhe kriminelëve të huaj.
“Terminal riatdhesimi” me dy kate
Sipas një dokumenti tenderimi për aeroportin, i ashtuquajturi “terminal riatdhesimi” do të ketë dy kate, informon agjencia e lajmeve Reuters. Ndërtimi është planifikuar të përfundojë në fund të vitit 2028. Do të projektohet në mënyrë që “të mund të mbërrijnë dhe të nisen deri në 50 fluturime çarter individuale dhe kolektive në ditë”.
“Një tavolinë qendrore regjistrimi do të instalohet në ndërtesë për të koordinuar në mënyrë efikase riatdhesimet”, vazhdon dokumenti. Policia federale nuk i ka komentuar planet deri tani.
Projekti është i diskutueshëm politikisht. “Një terminal të posaçëm për dëbime, këtë ne e shohim më tepër së në mënyrë kritike, i tha politikania rajonale Gülseren Demirel (Aleanca90/Të Gjelbrit) gazetës Süddeutsche Zeitung.
Nga ana e tij, kryetari i bashkisë së Mynihut Dieter Reiter (SPD) e konsideroi të arsyeshme riatdhesimin e kriminelëve në vendet e tyre të origjinës. “Kjo është arsyeja pse nuk mendoj se është një ide e keqe, në parim, të kemi një terminal të këtij lloji.”
Qyteti i Freising-ut, i vendosur në veri të Mynihut, ku ndodhet një pjesë e aeroportit, diskutoi projektin këtë javë. Sipas administratës së qytetit, komisioni i planifikimit të qytetit e hodhi poshtë vendndodhjen e zgjedhur të aeroportit për arsye planifikimi. Qyteti do t’i paraqesë një raport mbi këtë çështje te autoriteti përkatës rajonal./DW
Fraksion.com

