Sula: Farsa e ndërkombëtarizimit, 40% më pak studentë në auditorë
Drejtuesja e departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, Lili Sula deklaroi sot se, vetëm 40% e programeve studimore janë akredituar nga Bordi i Akreditimit.
Në një dalje për mediet, Sula u shpreh se, “ideja për një ligj të ri për arsimin e lartë, 10 vite pas ligjit nr. 80, i cili na u premtua si një epokë e re moderne, sot duhet të pranohet si një dështim i plotë dhe me të edhe përgjegjësitë politike të kësaj partie shtet që e solli dhe e rrënoi arsimin universitar”.
“Lista e problemeve që ka nxjerrë Bordi i Akreditimit flet vetë. Më pak se 40% e programeve studimore janë akredituar; pjesa tjetër lëshon kartonë, jo diploma”, tha ajo.
“Më shumë se 40% e pedagogëve janë me diplomë të nivelit Master sepse për një dekadë u mbyll doktoratura dhe universitetet u kthyen në shkolla të larta vetëm me dy cikle studimore. Rekrutimet plotësisht të kontrolluara është arsyeja tjetër që specialistë të kualifikuar me grada e tituj shkencorë të fituar edhe jashtë vendit mbeten jashtë sistemit”, theksoi Sula.
Sula shtoi se, “46% e personelit akademik punojnë me kohë të pjesshme në universitete, çka e zvogëlon ndjeshëm cilësinë dhe përkushtimin”.
Po ashtu, vijoi ajo, “autonomia institucionale dhe liritë akademike janë shkelur me këmbë – presionet, shantazhet, dhe përdorimi politik i universiteteve janë bërë norma. Prej 2015-ës kur shumica e kartonëve miratoi ligjin 80, klima e frikës, ngritjes së kulisave për të goditur figurën e pedagogut në universitete është edhe më rëndë se ajo e paraviteve ’90, – politika e ka kapur botën universitare në torbën e pengjeve. Shkelet çdo kod etik e standard institucional, u bëhet presion pedagogëve dhe përdoren studentë nga ata që propagandojnë pikërisht të kundërtën”.
Sula theksoi gjithashtu se, “themelet universitare, autonomia institucionale dhe liritë akademike nuk vlerësohen në dokumentin e Bordit të Akreditimit, nuk merret parasysh mendimi i studentëve, nuk është vlerësuar cilësia e programeve studimore krahasuar me ato europiane, impakti në zhvillimin ekonomik social të vendit, nuk bëhet vlerësim për cilësinë e menaxhimit, të llogaridhënies, transparencës, transferimit të dijeve, lidhja me tregun e punës etj”.
Sula tha se, “në vend të një vizioni për arsimin, kemi vetëm truke për të mbuluar kolapsin real”.
Sipas saj, “universiteti ka hyrë në fazën e kolapsit të plotë– jo për mungesë të potencialit, por për shkak të një regjimi që i druhet çdo burimi të lirisë dhe mendimit të lirë”.
Fraksion.com

