S’po dilnin dot në breg nga era e fortë, Policia ndihmon dy turistë holandezë në Pogradec
Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare u shkuan në ndihmë dy shtetasve holandezë (babë e bir), që kishin dalë në liqenin e Pogradecit me një mjet lundrues kanoe.
Sipas Policisë, rreth orës 18:15, shërbimet e Njësisë Policore Detare, gjatë patrullimit në liqenin e Ohrit, rreth 500 metra larg bregut, konstatuan një mjet lundrues kanoe me dy persona, të cilët, për shkak të erës së fortë dhe dallgëve që kishte liqeni, e kishin të vështirë të dilnin në breg.
Menjëherë, shërbimet e Njësisë Policore Detare u afruan për t’u dhënë ndihmë dhe siguruan kthimin e tyre në breg pa probleme.
Shtetasit holandezë falënderuan shërbimet e Policisë për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar.
Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare janë të angazhuara maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve, dhe në këtë kuadër ftojnë qytetarët që, në rast nevoje, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.
Fraksion.com

