Rama: Universitetet e tjera të ndjekin modelin e UBT, do ndryshojmë qasjen financiare
Universiteti Bujqësor i Tiranës, tanimë gati me programet e Universitetit BOKU të Vjenës dhe me synimin që UBT2030 të bëhet antena rajonale e BOKU-t, një universitet lider me një traditë të hershme në fushën e shkencave të jetës në Europë.
Në ceremoninë e mbajtur në Universitetin Bujqësor të Tiranës me rastin e nisjes së 9 programeve të reja të UBT që duke nisur nga ky vit janë sipas modelit BOKU, Kryeministri Edi Rama u ndal edhe tek mundësia që ato përfaqësojnë për të rinjtë ndërsa u bëri thirrje universiteteve të tjera në vend të ndjekin këtë model.
“Të gjithë universitetet e Shqipërisë do ta kenë shumë të qartë që tani që ne e kemi shembullin, nëse duan mbështetje ekstra, duhet të bëjnë atë që po bën Universiteti Bujqësor i Tiranës, duhet të gjejnë shokun apo shoqen në Europë, të ngjiten me të, të dorëzojnë “letrat e fejesës” që ne t’i mbështesim për ‘martesë’”, u shpreh Rama.
” Histori “jo kam një program këtu, jo thërritem këtu, jo do bëjmë këtë, do bëjmë këtë, do bëjmë atë”, mund t’i bëjnë, janë autonomë, por nuk kanë mbështetje nga qeveria. Qeveria do të ndryshojë komplet qasjen financiare dhe për sa kohë nuk do të ketë një të dytë, çfarë janë ekstra ne do t’i vëmë në Universitetin Bujqësor të Tiranës”, deklaroi ai.
Rama ritheksoi se “do ta bëjmë Universitetin Bujqësor të Tiranës një rrezatim në të gjithë rajonin”, duke i dhënë Shqipërisë një burim të jashtëzakonshëm dhe të domosdoshëm dije.
“Të tjerët janë tërësisht të respektuar, të inkurajuar, do marrin atë pjesën e buxhetit që iu takon, por më shumë nga gjithë kjo që ne kemi vënë ekstra, nuk ka për të marrë askush që nuk do bëjë të njëjtën gjë. Reformë reale. Universitetet tona nuk mund të vazhdojnë të jenë si shkollat e mesme me vite më shumë mësimi. Universitete tona duhet të jenë qendra kërkimore, duhet të jenë qendra ku studentët nuk dalin thjeshtë njerëz që dinë të përsërisin ato që iu kanë mësuar, por janë njerëz që janë vlerë e shtuar”, nënvizoi Kryeministri.
Rama tha se sa i takon kërkimit shkencor që është pika kyçe dhe më e dobët e UB, do të mbështetet me gjithçka që ka mundësi, së bashku me sigurisht BOKU-n.
Në mbyllje, Rama theksoi se së shpejti do të fillojë të rishkruhen disa pjesë të ligjit për arsimin e lartë.
“Sinqerisht besoj shumë te kjo reformë, besoj shumë tek mësimet që kemi marrë te kjo reformë se kemi mësuar dhe ne. Kemi mësuar dhe ne së shpejti do të fillojmë të shkruamë disa pjesë, jo gjithçka të ligjit për arsimin e lartë dhe do të marrim në konsideratë mësimet e këtij procesi reforme dhe do të marrim në konsideratë dhe këto ndryshime thelbësore që janë bërë në UB për sa i përket kurrikulave, për sa i përket përfshirjes reale të studentëve, jo përfshirja kot”, theksoi ai.
“Dhe patjetër do të shqyrtomë një herë e mirë dhe çështjen e shumë kokave brenda një universiteti, problem i madh se bëhen zgjedhje, zgjidhet rektori, zgjidhet dekani, zgjidhen shefa dhe të gjithë thonë “unë kam vizionin tim”. Ndërkohë që universiteti ka një kokë, ka një drejtim dhe s’mund të ketë 17 koka me 17 vizione të ndryshme që duan të mbajnë atë kioskën e tyre. Kjo s’mund të ndodhë”, deklaroi Rama.
“Juristë ka plot Shqipëria por profesionistë nuk ka mjaftueshëm. Së bashku me ta çdonjëri nga vajzat dhe djemtë që do trokasin në këtë derë universiteti do bëhen pjesë e kategorive që kërkohen më shumë dhe do i kenë dyert të hapura. Juristë harroje, në rastin më të mirë do përfundosh sekser nëpër gjykata”, përfundoi Rama.
Fraksion.com

