“Zënia e territorit si ‘prona ime’, vepër penale”, Rama: Do rishihen dokumentet e grupeve të pronarëve që lëshojnë truallin për pallate
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa të ashpra penale ndaj individëve që uzurpojnë hapësira publike brenda komuniteteve urbane me pretendimin se janë pronë private.
Në një deklaratë nga mbledhja sot me drejtuesit e bashkisë Tiranë, ai theksoi se vendosja e pengesave si trarë për përfitime financiare apo bllokimi i rrugëve publike do të konsiderohen vepra penale.
Po ashtu ka paralajmëruar edhe ndërhyrje ligjore për korrigjimin e dokumenteve të lëshuara në shkelje të këtyre parimeve, duke u ndalur te ndërtimet e pallateve në truall me disa pronarë.
Edi Rama:
Lidhur me okupimin e një territori brenda hapësirës së një komuniteti me pretendimin “është prona ime”, kjo do të konsiderohet vepër penale. Kush vendos një tra për të marrë para nga njerëzit që jetojnë aty, me pretendimin se është prona e vet mes pallateve, kjo është vepër penale.
Çdo lloj zënie tjetër e rrugës dhe pengimi i njerëzve me idenë “është prona ime”, është vepër penale. E kemi konsultuar këtë me të gjithë legjislacionet, dhe nuk ndodh askund që dikush, në emër të pronës së vet, të bëjë çfarë të dojë kur ndodhet në qytet dhe jo në pyll.
Kemi adresuar edhe çështjen e bashkëpronësisë së truallit përreth një godine. Nëse një grup pronarësh bëjnë marrëveshje me një ndërtues për një pallat dhe ai pallat ndërtohet në një përqindje të atij territori që është pronë, gjithçka tjetër që nuk përfshihet në trupin e pallatit nuk është më pronë e atyre pronarëve.
Lind nevoja për masë ligjore për të riparë dhe për të përmbysur dokumentet që janë në shkelje të këtij parimi.
Fraksion.com

