“Mospërgatitja për të parandaluar luftën do të na kushtojë shumë”, Zëvendëshefjae NATO-s bën thirrje për bashkëpunim më të fortë NATO-BE
Të mërkurën (16 korrik), Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, mbajti një fjalim në një takim të përbashkët të Komitetit të Punëve të Jashtme (AFET) të Parlamentit Evropian dhe Komitetit të Sigurisë dhe Mbrojtjes (SEDE). Ajo shpjegoi rezultatin e Samitit të NATO-s në Hagë, bëri thirrje për bashkëpunim më të fortë me Bashkimin Evropian (BE) dhe iu përgjigj pyetjeve të anëtarëve të Parlamentit Evropian.
SEDE AFET – Shkëmbim pikëpamjesh me Radmila Shekerinska, Zëvendëssekretare e Përgjithshme e NATO-s
Burimi: Qendra Multimediale e Parlamentit Evropian
Znj. Shekerinska prezantoi marrëveshjen historike të arritur nga Aleatët në Samitin e NATO-s në Hagë, për të rritur shpenzimet e mbrojtjes në 5% të PBB-së deri në vitin 2035. Objektivi i ri i shpenzimeve të mbrojtjes bazohet në objektivat ambicioze të aftësive të NATO-s dhe planet më të fundit të mbrojtjes. “Është çmimi që duhet të paguajmë për të ruajtur paqen”, deklaroi ajo, duke shtuar se “mospërgatitja për të parandaluar luftën do të na kushtojë shumë, shumë më tepër”.
Si rezultat i marrëveshjes së Samitit, Aleatët Evropianë dhe Kanadaja po bëjnë hapa përpara, për të marrë pjesën e tyre të drejtë të shpenzimeve të mbrojtjes. Zëvendës Sekretarja e Përgjithshme përshëndeti përpjekjet e shtuara të BE-së për mbrojtjen dhe theksoi se NATO dhe BE mund të bëjnë shumë më tepër së bashku, duke forcuar industrinë e mbrojtjes, duke mbrojtur infrastrukturën kritike dhe duke zhvilluar aftësi të reja. “Por për ta mbajtur Evropën të sigurt, ne duhet të sigurohemi që përpjekjet tona janë vërtet transatlantike”, vuri në dukje ajo.
Ndërsa lufta e agresionit e Rusisë kundër Ukrainës vazhdon, znj. Shekerinska theksoi planin e ri të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për të furnizuar Ukrainën me pajisje ushtarake të financuara nga Aleatët Evropianë dhe Kanadaja. Zëvendës Sekretarja e Përgjithshme nënvizoi rëndësinë e arritjes së një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën. “Duke ecur përpara, ka edhe më shumë që mund të bëjmë së bashku, për të forcuar industrinë e mbrojtjes ukrainase dhe për ta integruar më mirë atë me tonën”, pohoi znj. Shekerinska. “Kjo është edhe siguria jonë… Tani duhet të përveshim mëngët dhe të japim rezultate”, përfundoi ajo.
Fraksion.com

