Rama: Ndërtimet pa leje në Theth vepër e rëndë penale, prokurorja vendosi mosfillimin e hetimeve
Kryeministri Edi Rama në takimin e zhvilluar sot me kryetarët e bashkive për performancën e pushtetit vendor në funksion të vizionit “Shqipëria 2030” në Bashkimin Evropian, u ndal edhe tek prishja e ndërtimeve pa leje në Theth.
“Në Theth gjatë periudhës së zgjedhjeve, në muajt para dhe gjatë zgjedhjeve, ka pasur një bum ndërtimesh pa leje, si rezultat i përgatitjes së sezonit të ri turistik”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama tha se “jo një, po rreth 40 denoncime janë bërë nga Policia e Shtetit për këto ndërtime. Policia e Shtetit ka funksionuar, struktura e Policisë ka denoncuar ndërtimet pa leje në Prokurori dhe siç është bërë e ditur në një rast të një flagrance spektakolare ku nuk është ndërtuat thjesht një ngrehinë, por një fshat i tërë turistik në mes të Thethit, një prokurore me mbiemrin Gjeli ka vendosur mosfillimin e hetimeve”.
Pra, vijoi Rama, ka refuzuar të shohë se për çfarë bëhet fjalë dhe ka bërë një ese filozofike mbi pafajësinë e ndërtimit pa leje.
“Ndërkohë që ndërtimi pa leje në Republikën e Shqipërisë është vepër penale dhe ndërtimi pa leje në një zonë të mbrojtur si Thethi është një vepër penale edhe më e rëndë”, nënvizoi Rama.
Nga ana tjetër, vijoi Rama, Inspektorati për Mbrojtjen e Territorit ka filluar të veprojë.
Fraksion.com

