Meloni: Kompanitë pro-ruse të përjashtohen nga rindërtimi i Ukrainës
Italia u shpreh se kompanitë që kanë ndihmuar në financimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës duke bërë biznes me këtë vend, duhet të përjashtohen nga rindërtimi i Ukrainës, sipas “Reuters”.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha më herët se pjesëmarrësit në konferencën e mbajtur në Romë – për rimëkëmbjen e Ukrainës kishin premtuar më shumë se 10 miliardë euro – për të ndihmuar vendin e shkatërruar nga lufta.
“Ne duam të punojmë me Ukrainën për të siguruar që subjektet që kanë kontribuar në financimin e makinerisë së luftës ruse të mos përfitojnë nga rindërtimi”, tha Meloni gjatë një konference për shtyp.
“Rruga për ne është e qartë, të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën dhe nga ana tjetër të rrisim presionin ndaj Rusisë, mbi të gjitha përmes sanksioneve”, shtoi Meloni.
Bashkimi Evropian ka miratuar një sërë sanksionesh kundër Moskës që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt 2022.
Një deklaratë e Ministrisë italiane të Financave tha se ministri i Ekonomisë, Giancarlo Giorgetti e kishte diskutuar çështjen e ndalimit të kompanive pro-ruse gjatë një takimi dypalësh me homologun e tij ukrainas, Serhii Marchenko.
Fraksion.com

