AktualitetTë fundit

Zaptimi i hapësirave publike, dy të proceduar në Velipojë

Policia e Shkodrës njofton për vijimin e kontrolleve në zbatim të planit operacional të koduar “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.

Sipas njoftimit të Policisë Shkodër, specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Velipojë, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Shkodër dhe me Policinë Bashkiake, në zbatim të planit operacional “Plazhi i lirë”, kanë ushtruar kontrolle në zonën e Velipojës.

Nga kontrollet e ushtruara policia ka konstatuar se: shtetasi A. H. kishte zënë një pronë publike në rrugën nr. 9, në fshatin Velipojë, dhe e kishte përshtatur për ambiente me qëllim përfitimin, pa leje nga organet kompetente. Gjithashtu shtetasi T. Q. kishte zënë një pronë publike në rrugën nr. 9, në  fshatin Velipojë, dhe kishte ndërtuar një objekt me konstrukt metalik, për qëllim përfitimin, pa leje nga organet kompetente.

Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit A. H., 63 vjeç, banues në Shkodër, dhe  T. Q., 44 vjeç, banues në Velipojë.

Sipas njoftimit të Policisë, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Pushtimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër njofton për vijimin e kontrolleve për të ndaluar çdo shkelje që cenon hapësirat publike dhe sigurinë e pushuesve. Ndërsa fton qytetarët të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në numrin 112.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com