Goditja e trafikut të armëve, Proda: Bashkëpunimi me Policinë e Kosovës, model suksesi në rajon
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda ka falënderuar strukturat e policisë së Kosovës si dhe efektivët e policisë shqiptare për goditjen e grupeve që trafikojnë armë zjarri nga Kosova në Shqipëri.
Përmes një mesazhi, Proda thekson se bashkëpunimi me Policinë e Kosovës është kthyer në model suksesi në rajon.
“Operacioni i fundit i finalizuar nga Policia e Kukësit, si dhe operacionet e njëpasnjëshme të zhvilluara nga Policia e Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, për goditjen e grupeve që trafikojnë armë zjarri nga Kosova në Shqipëri, janë një dëshmi e qartë se Policia e Shtetit është e pranishme, vigjilente dhe e vendosur për të garantuar sigurinë në çdo cep të vendit. Po ashtu, bashkëpunimi me Policinë e Kosovës është kthyer në model suksesi në rajon.
“Shpreh falënderimin dhe vlerësimin maksimal për strukturat e Policisë së Kukësit, për efektivët e patrullës, të Shqiponjave dhe specialistët e hetimit, të cilët, me profesionalizëm dhe angazhim të lartë, goditën një rast të trafikimit të armëve të zjarrit në sasi të mëdha, duke sekuestruar 8 armë zjarri të llojit pistoletë dhe vunë në pranga dy shtetas nga Kosova”, shkruan Proda.
Proda nënvizon më tej se “armët janë burimi kryesor i ngjarjeve kriminale, i krimeve ndaj jetës dhe pronës, si dhe një rrezik i vazhdueshëm për rendin publik. Çdo armë e ndaluar, në kufi apo në territorin tonë, është një jetë e shpëtuar. Rastet e shumta të armëmbajtjes pa leje, të goditura së fundmi në të gjithë vendin, flasin për një angazhim të palëkundur të Policisë së Shtetit. Çdo rrjet i çmontuar është një krim i parandaluar”.
“Policia e Shtetit është e përfshirë maksimalisht në veprime parandaluese, hetimore dhe operacionale, brenda dhe jashtë vendit, në bashkëpunim me partnerët tanë, për të luftuar krimin në përgjithësi dhe krimin e organizuar në veçanti”, shkruan Proda.
Sipas Prodës në këtë betejë të përditshme, jam i bindur se suksesi i plotë vjen vetëm me bashkëpunim të ngushtë me qytetarët, shoqërinë civile, të rinjtë e të rejat dhe median.
“Ndërsa ne punojmë për sigurinë tuaj, ju ftoj të qëndroni pranë Policisë, të bashkëpunoni dhe të jeni pjesë e kësaj fryme të re të besimit dhe respektit reciprok. Së bashku, do të forcojmë edhe më shumë sigurinë, duke përmirësuar më tej imazhin e Shqipërisë, e cila është dhe mbetet një vend i sigurt dhe mikpritës, për të gjithë vizitorët dhe turistët nga mbarë bota që zgjedhin të vijnë dhe të njohin bukuritë tona”, thekson Proda.
Proda falënderon strukturat e Policisë për profesionalizmin dhe angazhimin maksimal, edhe në këto ditë shumë të nxehta.
“Faleminderit qytetarëve që dita-ditës besojnë gjithnjë e më shumë te Policia e Shtetit. Mesazhi im është i qartë: Siguria nuk negociohet! Policia dhe qytetarët, një forcë e pandalshme”, shkruan Proda.
Fraksion.com

