AktualitetPolitikëTë fundit

Tabaku: Bllokimi i integrimit nga qeveria e jo nga opozita

Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, Jorida Tabaku prezantoi sot raportin vjetor të këtij këshilli për vitin 2024.

Tabaku u shpreh se, “Shqipëria nisi negociatat me BE-në jo sepse i përmbushi kriteret, jo atëherë kur duhet t’i kishte nisur, në vitin e largët 2013, kur Shqipëria ishte shumë pranë marrjes së statusit së vendit kandidat dhe hapjes së negociatave”.

Por, shtoi Tabaku, “rrethanat gjeopolitike ishin më të forta se standardet”.

“Ishte një vendim që u dha si bonus, jo si meritë dhe ne fatkeqësisht nuk e shfrytëzuam, nuk e kthyem në reformë, nuk e kthyem në transformim, nuk përmirësuam standardet, nuk përmirësuam normat dhe fatkeqësisht sot vazhdojmë dhe diskutojmë akoma për standarde minimale të demokracisë”, u shpreh Tabaku.

“U krijua një komision Ad-hoc që shumë shpejt u shndërrua në një instrument të njëanshëm të mazhorancës për të përqendruar pushtetin dhe jo për të çuar përpara reforma”, tha Tabaku, duke theksuar se “gjatë vitit të fundit ka qenë e pamundur gjatë vitit të fundit që të ushtrohet funksioni i Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian dhe opozita të ketë hapësirën e vet në këtë proces”.

“Mazhoranca e mbylli derën e integrimit brenda Kuvendit duke krijuar një institucion paralel, edhe duke bojkotuar Këshillin Kombëtar të Integrimit, një institucion dhe një komision, i cili funksionon pa transparencë, pa opozitë, i cili ka marrë punën e komisioneve të ndryshme parlamentare, i cili merr vendime për reforma që duhet të jenë të të gjithë shqiptarëve, jo të një pakice që fatkeqësisht sot vazhdon dhe operon me të njëjtën mënyrë si dje”, tha ajo.

Tabaku nënvizoi se, “ky komision është duke avancuar edhe për ndryshime thelbësore në ligje, për ligjin për deklarimin e pasurisë, për ligjin për konfliktin e interesave, për financimin e partive politike, pa asnjë diskutim, pa asnjë konsultim, në një kohë kur projektohet që nga shtatori do të ketë 83 vota. Mjaftueshëm për të ndryshuar çdo ligj organik pa patur nevojë të dëgjojë askënd”.

“Kjo nuk është rruga evropiane. Kjo nuk është rruga e konsensusit. Kjo është rruga e kontrollit. Kjo është rruga e përjashtimit, jo e bashkëpunimit. Nuk ka Evropë pa institucione të cilat janë gjithëpërfshirëse, që nuk përfaqësojnë vetëm një palë. Nuk ka integrim me komisione të njëanshme”, shtoi deputetja e PD.

Tabaku theksoi se, asnjëherë opozita nuk ka krijuar problematika në këtë proces, teksa u shpreh se i vetmi bllokim që u ka ardhur shqiptarëve ka qenë ai nga qeveria.

“I vetmi bllokim që u ka ardhur shqiptarëve u ka ardhur fatkeqësisht nga qeveria, për pamundësinë së pari për të organizuar procese demokratike, duke nisur me zgjedhjet, me standarde evropiane dhe duke përfunduar tek çështje absolutisht normale të funksionimit të një shteti si prokurimet publike”, tha Tabaku.

“37 nisma deputetësh për të diskutuar që kanë fjetur në sirtar për 12 vite, 26 institucione e mbyllin këtë legjislaturë si asnjëherë më parë, pa raportuar. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë zbatuar, duke nisur nga ai për Teatrin Kombëtar e deri te mandati i një deputeti të mazhorancës”, vijoi Tabaku.

“A është gati Shqipëria për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për institucione demokratike, për kontroll dhe balancë shteti, të zbatojë vendimet e gjykatës pa i diskutuar. Përgjigja është dhënë po në raportin e Komisionit Europian, në raportin e grup-kapitullit të parë, pengesa kryesore për integrimin e shqiptarëve nuk ka qenë dhe nuk do jetë opozita. Pengesa kryesore është qeveria!”, deklaroi ajo.

Sipas Tabakut, kjo legjislaturë po mbyllet me numrin më të lartë të detyrave të papërmbushura, pa një reformë të plotë gjithëpërfshirëse. “Kuvendi i Shqipërisë është moszbatuesi më i madh nga të gjitha institucionet”, deklaroi Tabaku.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com