AktualitetPolitikëTë fundit

“Shpallët me turp gjithë popullin shqiptar”, Peleshi: Distancohemi nga deklaratat e Nokës, fjalor i pavend për Kuvendin

Deklaratat e deputetit të Partisë Demokratike Flamur Noka u shoqëruan sot me debate në seancën plenare të Kuvendit, për shkak të disa etiketimeve që u cilësuan të papërshtatshme.

Noka tha sot në seancën e fundit parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë, se në Parlament “vlon” histeria moniste kundër opozitës.

Noka tha se opozita, po “trajtohet si armike, ndërsa po mbyllet legjislatura më e zezë në 35 vite pluralizëm”.

“Turp dhe faqja e zezë për këtë Parlament, sepse kurrë nuk mund të imagjinohej që parlamenti të kthehej në një vend, ku liria e fjalës tentohet që të asgjësohet. Ky Parlament ka noterizuar çdo gjë të qeverisë, ndërsa vota e lirë është asgjësuar”, tha Noka.

Ndërsa, deputeti i Partisë Socialiste, Niko Peleshi u shpreh nga Foltorja e Kuvendit, se grupi parlamentar i PS-së, distancohet nga gjithçka u tha nga deputeti Noka.

“Por, për fat të keq kur dalim nga ku Parlament jemi për qytetarët deputetë dhe jo gjithmonë na ndajnë të opozitës apo mazhorancës. Tejkalimi i etikës parlamentare, sharjet, balta duam apo nuk duam ne të mazhorancës na ngelen edhe neve në kurriz, duke kontribuar në ndërtimin e një kulture që asocion fjalën politikan me më të zezat e këtij vendi”, tha Peleshi.

Sipas deputetit të PS-së, politikanët janë dhe duhet të jenë njerëzit më të mirë të këtij vendi.

“Nëse në ditën e fundit të një legjislature, edhe nëse nuk ta thotë zemra, mund ta bëni zemrën gur për ca fjalë të mira për punën që kemi bërë, për 500 e ca ligje që kemi miratuar së bashku, për afro 200 marrëveshje të miratuara së bashku, për 18 ligje me shumicë të cilësuar ku opozita e ka dhënë votën, këto fjalë duhen thënë sot se e meritojmë”, vijoi ai.

Peleshi u shpreh se fjalët si eunukë, çingije, sulltan apo deputetë të vënë në rresht, nuk kanë vend për t’u përdorur në hapësirën e një Kuvendi.

“E di ti çdo të thotë jeni në rresht? Do të thotë ta depersonalizosh deputetin 100%, ndërkohë që ata janë zgjedhur me 1 milion vota të këtij populli. Nëse i quan të vënë në rresht përfaqësuesit e popullit shqiptar, ke vënë edhe popullin shqiptar në rresht. Sapo the t’u vijë turp që keni zgjedhur këta përfaqësues, pra shpallët me turp gjithë popullin shqiptar”, cilësoi Peleshi, ndërsa ritheksoi se PS distancohet me forcë me forcë nga kjo kulturë së cilës ata nuk i përkasin.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com