Gogu: Integrimi evropian, konsensusi më i madh kombëtar
Nënkryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit, Toni Gogu u shpreh sot gjatë prezantimit të raportit vjetor të këtij këshilli në Kuvend se Shqipëria ka bërë punë titanike në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Në fund të kësaj legjislature, ndërsa marrim në shqyrtim raportin vjetor të Këshillit Kombëtar të Integrimit, duhet të flasim siç duhet. Atje ku Shqipëria ka mbërritur sot, po të kthejmë kokën mbrapa, jemi afër agimit të 2030, kur ky vend do bëhet pjesë e familjes që i është mohuar prej shumë dekadash. Sot, integrimi evropian është konsensusi më i madh kombëtar që ne kemi, kjo u vu re edhe në punën e Këshillit Kombëtar të Integrimit, ku kryetarja jonë megjithëse vetmitare në shumicën e mbledhjeve qëndroi me stoicitet në krye të atij Këshilli, duke drejtuar me dhjetëra takime”, tha ai.
Gogu tha se deri më tani janë hapur 5 grup-kapituj dhe pritet i gjashti në vjeshtë.
“Politika e jashtme e Shqipërisë është tërësisht e linjëzuar me politikën e BE. Shqipëria është aleati më strategjik, më i sigurt i BE në Ballkanin Perëndimor. Ajo që u tha para disa ditësh nga Komisionerja Kos, që e ardhmja e Shqipërisë është në BE, është realiteti i çdo shqiptari”, tha Gogu.
Ai gjithashtu ironizoi edhe opozitën për deklaratat e kreut të PD, Sali Berisha, i cili e quajti Shqipërinë narkoshtetin e vetëm në Evropë.
“U përpoqët të bënit me baltë Shqipërinë si narkoshtet, ndërkohë fermerëve u bie bretku nga mëngjesi në darkë të ushqejnë këtë vend, e njëjta gjë me mësuesit, zjarrfikësit. Nuk mundet pacienti zero i korrupsionit shqiptar, të dalë dhe të mbrojë korrupsionin duke i hedhur baltë Shqipërisë”, tha ai.
“Raportet e fundit të BE e shohin Shqipërinë si udhëheqëse në rajon, jo vetëm evropianët, por edhe qytetarët shqiptarë. Ndaj kur diskutojmë punën e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian të jemi në lartësinë e detyrës. Besimi i BE te Shqipëria është absolut. Ne nuk trembemi nga kritikat, ato kritika janë tinguj që ne na bëjnë t’i përvishemi më shumë punës, ndaj e shihni shumicën qeverisëse në bazë me qytetarët, me njerëzit, për të diskutuar si BE do shkojë në fshat, në tregun financiar, bankar, komercial”, tha Gogu.
Fraksion.com

