AktualitetBota+Të fundit

Përhapen shumë lajme të rreme për kancelarin Friedrich Merz

Që kur Friedrich Merz mori detyrën si kancelar, në mediat sociale janë shtuar lajmet e rreme rreth tij. Nga gjoja kontrollet që bëjnë autoritetet në shtëpi deri tek thashethemet për kokainën.

Lajmet e rreme mbi Merz

Pretendimet e fundit të sajuara lidhen me futjen e një takse shkollore, rritje të orarit javor të punës, vizitave në shtëpi për ata që kanë raport mjekësor dhe një fillimi më të hershëm të kohës së gjumit. Lajme të tilla mund të shkaktojnë reagime emocionale edhe pse të gjitha janë tërësisht të sajuara. Edhe një video e rreme tregon kancelarin Merz duke reklamuar produkte financiare të dyshimta. Sekuenca e filmit duket sikur është e përfshirë në artikullin online të një gazete të përditshme. Por edhe ky artikull është i rremë – as teksti dhe as videoja nuk u shfaqën kurrë në faqen e internetit të gazetës.

Vetëm pak ditë pas emërimit të Merz si kancelar, qarkulloi një video në internet, duke pretenduar se presidenti francez Emmanuel Macron, gjatë udhëtimit të tij në Kiev me Merz, kishte marrë një qese me kokainë nga tavolina, – kur gazetarët mbërritën për një mundësi fotografimi – për ta fshehur atë. Merz, nga ana tjetër, sipas lajmit thuhet, se fshehu një lugë për konsumimin e kokainës. Thashethemi u përhapën me shpejtësi. Por droga e supozuar në klip ishte thjesht një facoletë. Edhe Pallati Elize e sqaroi këtë në Platformën X – dhe paralajmëroi kundër manipulimit të qëllimshëm të sekuencës së imazhit. Kurse pamjet me rezolucion të lartë zbuluan se objekti përpara Merz ishte një pipërz apo pirun i vogël për ushqime të lehta, jo një lugë.

Nga vijnë lajmet e rreme

Ekspertë në Institutin për Dialog Strategjik (ISD), një organizatë e pavarur që, ndër të tjera, përqendrohet në luftën kundër dezinformimit monitorojnë gjithashtu lajmet e rreme. Merz, si kandidat i CDU-së, u bë shënjestër e lajmeve të rreme pas rënies së qeverisë së koalicionit mes SPD, Të Gjelbërve dhe liberalëve në fund të vitit të kaluar, shpjegon analisti i ISD-së, Pablo Maristany de las Casas.

Analisti i ISD-së, Maristany de las Casas, shprehet se autorët e mundshëm të këtyre lajmeve të rreme mund të jenë të lidhur me Kremlinin.  Mbrojtja e fortë nga ana e Merz-it për Ukrainën dhe deklaratat e forta për më shumë mbështetje financiare mund të shihen në Kremlin si një kërcënim i drejtpërdrejtë. Nga ana tjetër, sipas ekspertit, edhe faqet ekstremiste të krahut të djathtë e kanë në shënjestër kancelarin Merz, shkruan DW.

Macron përdori drogë gjatë udhëtimit me kancelarin gjerman dhe kryeministrin britanik?!

Kujtojmë se edhe Franca ka reaguar ashpër gjithashtu  ndaj pretendimeve të rreme të përhapura nga Kremlini, sipas të cilave presidenti Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe kryeministri britanik Keir Starmer kanë përdorur kokainë gjatë një udhëtimi me tren drejt Kievit. Zyrtarë të lartë nga Pallati Élysée i kanë cilësuar këto akuza si një akt të qëllimshëm dezinformimi.

Ndërkohë kujtojmë se lajmi i rremë filloi të qarkullojë në rrjetet sociale pro-ruse dhe më pas u amplifikua nga zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, si dhe nga zyrtarë të tjerë rusë. Një video e publikuar në internet tregon Macronin duke marrë një shami nga tavolina një veprim i zakonshëm që teoricienët e konspiracionit e interpretuan si përpjekje për të fshehur një qese me kokainë. Po ashtu, kancelari Merz u akuzua se mbante një lugë të bardhë, që u paraqit me tendencë si provë e përdorimit të drogës.

“Është thjesht një shami për të fshirë hundët,” shkroi Elysee në Twitter, duke hedhur poshtë me forcë çdo aludim.

 

Fraksion.com

 

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com