Zjarr në landfillin e Elbasanit, Cara: Mbi 60 forca në terren për izolimin e flakëve
Mbi 60 forca zjarrfikëse dhe skuadra të emergjencave civile po punojnë prej disa orësh për shuarjen e zjarrit që ka përfshirë landfillin e mbetjeve në Elbasan.
Bashkia Elbasan bën me dije se në terren ndodhen të gjitha ekipet zjarrfikëse të qytetit, të mbështetura nga mjete dhe forca të ardhura nga Tirana, Berati, Kavaja, si dhe vullnetarë.
Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës të Elbasanit, Arben Cara, në një prononcim për mediet u shpreh se është bërë e mundur izolimi i vatrës për të mos lejuar përhapjen drejt zonave të banuara. Megjithatë, shuarja mbetet e vështirë për shkak të erës dhe natyrës së mbetjeve urbane, të cilat përçojnë flakët me shpejtësi.
“Për vatrën aktuale janë angazhuar mbi 60 forca zjarrfikëse nga bashkitë fqinje. Bashkia Elbasan ka vendosur gjithashtu në terren disa fadroma për izolimin e zjarrit me mbetje të lumit Shkumbin,” tha Cara.
Ai theksoi se situata është komplekse, pasi flakët shpesh riaktivizohen pak pas shuarjes, por po bëhen përpjekje të pandërprera për kontrollin e plotë të zjarrit.
Në operacion është përfshirë edhe ushtria, me 2–3 automjete të angazhuara në mbështetje të shuarjes.
Kreu i Shërbimit Zjarrfikës bëri thirrje për zbatim të rreptë të ligjit ndaj zjarrvënësve, duke theksuar se ata duhet të mbajnë përgjegjësi për dëmet që shkaktojnë.
Fraksion.com

