Pamje të frikshme, zjarri që ka përpirë landfillin e Elbasanit i pamundur të shuhet
Zjarri në landfillin e mbetjeve të Elbasanit, ende po vijon, teksa forcat zjarrfikëse po bëjnë ç’të mundën për shuarjen flakëve.
Në përpjekje të izolimit të vatrës së zjarrit, kanë shkuar dhe forca zjarrfikëse nga Tirana drejt Elbasanit, pasi intensiteti i flakëve është i lartë dhe shuarja e tyre e vështirë.
Drejtori i Përgjithshëm i Mbrojtjes nga Zjarret dhe Shpëtimit, Arben Cara, ka sqaruar ardhjen e ndihmave nga bashkitë përreth Elbasanit. Për shkak të mbetjeve, po përdoret shkuma për shuarjen e zjarrit, por sërish flakët vijojnë me intensitetin e lartë.
Jo vetëm zjarrfikësit, por edhe ushtria është angazhuar për situatën në Elbasan. Cara sqaron se fikja e zjarrit është i vështirë dhe për shkak të terrenit.
“Përtej forcave të angazhuar, edhe ushtria është e angazhuar, me dy-tre automjete të veta, për të mbajtur nën kontroll. Por, edhe pse kjo vatër fiket, riaktivizohet në pak sekonda, pasi vetë infrastruktura nuk na mundëson që të kemi mjetet non-stop me ujë dhe shkumë. Duhet të shkojnë, të rimbushen, e të kthehen”, u shpreh ai.
I pyetur për arsyet e zjarrit, ai u shpreh se është ende herët për t’i përcaktuar. Sakaq, për zjarrvënësit e qëllimshëm tha se duhet të vuajnë dënimin e merituar.
Ligji është shumë i ashpër. Kodi Penal është shumë i ashpër, mendoj se kërkohet zbatimi i tij më me rigozitet. Instancat shtetërore duhet të bëjnë maksimalisht që këto autorë të vendosen përpara ligjit e të vuajnë dënimin që meritojnë për dëmin që sjellin popullatës”, tha ai.
Kujtojmë se ekziston dyshimi për zjarrvënie të qëllimshme, por një gjë e tillë është ende herët për ta verifikuar, pasi zjarri vijon intensivisht në zonë.
Këto flakë shkaktojnë dëme të mëdha mjedisore. Banorët e Elbasanit, përballen shpesh me cilësi shumë të keqe të ajrit, që pason dhe në sëmundje, për shkak të Metalurgjikut, por dhe djegies së mbetjeve.
Fraksion.com

