AktualitetKosovaTë fundit

“Deputetët e Kosovës vazhdojnë përpjekjet”, seanca e 38-të për konstituim të Kuvendit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen të dielën në një tjetër tentim për të finalizuar procesin e konstituimit të këtij institucioni pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Kjo është hera e 39-të që ata mblidhen në sallën e Kuvendit prej 15 prillit, ndonëse të dielën vetëm e vazhdojnë seancën e 38-të të së premtes, në të cilën nuk kanë votuar.

Ata janë pajtuar për të mos votuar, me shpresën se takimi i së shtunës mes krerëve të partive politike do të prodhonte ndonjë rezultat.

Nuk ka ndodhur ashtu. Përfaqësuesit e partive politike janë mbledhur më 28 qershor dhe kanë diskutuar mbi dy orë, dhe në fund kanë vazhduar ta fajësojnë njëri-tjetrin për situatën aktuale.

Palët janë takuar pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur një aktvendim të enjten që i detyron deputetët të finalizojnë procesin e konstituimit më së largu deri më 26 korrik.

Kuvendi vazhdon të mos jetë plotësisht i konstituuar pasi partitë politike nuk kanë arritur pajtueshmëri për emrin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për pozitën e kryeparlamentarit, si dhe për ndryshimin e mënyrës së votimit nga të hapur në të fshehtë.

Dallime në qëndrime

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) – që ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet e 9 shkurtit – ka thënë pas takimit të së shtunës se beson që Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) janë duke e keqlexuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe ka bërë të ditur se i ka ofruar ato që i ka përshkruar si dy kompromise.

“Kompromisi i parë ishte ai që e ka thënë edhe kandidatja jonë e propozuar për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila tha se në rast të votimit të fshehtë nuk i merr së paku 61 vota, tërhiqet nga kandidatura. Ajo këtë e ka bërë njëanshëm, por unë e respektoj vendimin e saj. Ajo nuk dëshiron të votohet për dy herë me votim të fshehtë”.

“Kompromisi i dytë ishte që ta bëjmë një marrëveshje politike lidhur me nenin 67 të Kushtetutës, e që është marrëveshje në paketë për kryetarin dhe nënkryetarët, dhe pastaj nëse nuk e duan kurrqysh votimin e fshehtë, le t’i delegojnë përfaqësuesit e tyre në këtë komision për votim të fshehtë, të cilin mund ta rrëzojmë me votë, sepse procesi ka mbetur në gjysmë. Ne aty e kemi deleguar Hekuran Muratin, le t’i delegojnë edhe tjerët, edhe pastaj e rrëzojmë, që më pas kryetarja dhe nënkryetarët të votohen në paketë”.

Për PDK-në dhe LDK-në, Kurti vazhdon të jetë i gozhduar në qëndrimet e tij, dhe insistojnë që të mos formohet komision për votim të fshehtë dhe që seanca të kalojë në votim të hapur.

Sipas PDK-së, nëse seanca do të vazhdojë të mbahet sikurse të kaluarat, LVV-ja është duke kryer me vetëdije shkelje të Kushtetutës.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se shpreson që pas skadimit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të intervenojë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për t’i dhënë fund krizës.

Deputetët duhet ta zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët për ta konstituuar përfundimisht Kuvendin e ri.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të formohet Qeveria e re.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, aktualisht profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Enver Hasani, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ditë më parë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë të qartë, ka konfirmuar se procedura për konstituimin e Kuvendit është e përcaktuar nga Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit dhe praktikat parlamentare.

“…që nënkupton se ajo që është bërë nga z. [kryesuesi i seancës konstituive, Avni] Dehari është tërësisht jokushtetuese. Do të thotë se nuk mund të ketë devijim nga marrëveshja e arritur më 8 prill [v.j. takimi i partive politike për përgatitjen e seancës konstituive]”, tha Hasani.

Në takimin e 8 prillit, nuk është marrë asnjë vendim për votim të fshehtë.

Profesor Hasani thotë se Kushtetuesja vendosi për tërësinë e procedurës për konstituimin e Kuvendit, përfshirë këtu edhe në çfarë forme bëhet votimi.

“Ajo ka vendosur për gjithë procedurën dhe ka treguar që procedura duhet të jetë e njëjtë, siç thotë Rregullorja, Kushtetuta dhe siç është vendosur pas çdo zgjedhje parlamentare në Kosovë deri tash. Këtë e ka thënë Gjykata. Dhe asnjëherë deri sot nuk ka pasur ndryshim të rendit të ditës nga kryesuesi dhe asnjë nuk ka pasur votim të fshehtë”, ka thënë mes tjerash ai

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com