Rama: Rruga Qukës – Qafë Plloçë gati në vjeshtë, shkurton distancën Tiranë – Korçë
Punimet në të tre lotet e rrugës Qukës – Qafë Plloçë po vijojnë me ritme shumë të mira, me objektivin për ta përfunduar ndërtimin e këtij segmenti të shumëpritur brenda fillimit të vjeshtës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot, në rrjetet sociale, pamje nga kantieret e këtij aksi të rëndësishëm, që do të shkurtojë distancën dhe kohën e udhëtimit drejt juglindjes së vendit.
Kryeministri vlerësoi se rruga do të stimulojë po ashtu në perspektivë impulse të reja të zhvillimit ekonomik.
Me përfundimin e plotë të ndërtimit të segmentit rrugor Qukës – Qafë Plloçë, me gjatësi 43,4 km, do të shkurtohet rreth 30 minuta koha e udhëtimit në aksin kombëtar Tiranë – Korçë.
Po ashtu, ky aks siguron ndërlidhjen e domosdoshme për komunitetet përreth, duke krijuar edhe një perspektivë të re për zhvillimin e zonës së Mokrës, me ndikim pozitiv për gjithë juglindjen. 10 km të këtij segmenti rrugor kalojnë buzë lumit Shkumbin, përmes një zone të bukur natyrore siç është ajo e Mokrës, duke i dhënë këtij aksi gjithë dimensionin e një rruge panoramike.
Fraksion.com

