“Petron e nxorën kartelet nga parlamenti, po të ishte i tyre nuk dilte”, Berisha: Ku janë Sara dhe Zegjineja që…
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përdorur seancën parlamentare të së enjtes për të lëshuar akuza të forta ndaj Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama, të cilin e cilësoi “Ramaduro i Evropës”.
Gjatë fjalës së tij, Berisha thumboi në mënyrë të drejtpërdrejtë deputetin socialist Petro Koçi, duke deklaruar se “kartelet e nxorën nga parlamenti”, pasi Koçi nuk do të jetë pjesë e legjislaturës së re pas zgjedhjeve të 11 majit. Ai u shpreh se Petro Koçi është i komanduar dhe nuk ka asgjë për të thënë jashtë linjës së partisë.
“Nuk ke asgjë çfarë të thuash se do thuash atë që të kanë programuar. Flet apo jo, njësoj është,” – tha Berisha.
Në të njëjtën linjë ironie, Berisha përmendi edhe dy deputetet e reja të PS-së, Sara Mile dhe Zegjine Çaushi, duke pyetur se ku janë ato gjatë denoncimit të tij për përfshirjen e krimit në zgjedhje dhe duke thënë se ato janë produkt i një procesi që ai e quajti “farsa më e shëmtuar elektorale” në historinë e Shqipërisë.
Berisha tha se zgjedhjet parlamentare të 11 majit ishin një farsë elektorale, “në Shqipëri u zhvillua farsa më e shëmtuar elektorale dhe ajo pati pasqyrimin më damkosës në botë”.
Berisha shtoi se “autopsia që po i bëhet procesit të farsës elektorale tregon kriminalizimin nga kreu i piramidës, tek punonjësi patronazhist i piramidës suaj”.
“Tregon se zbatuat një piramidë mashtrimi, falsifikimi, trillimi dhe kjo ishte farsa elektorale. Përdorët metodat më të turpshme që mund të jenë përdorur ndonjëherë në ndonjë vend. Zhvilluat zgjedhjet si në Zimbabve 30 vite më parë”, tha Berisha.
Sipas Berishës, u pa se “Shqipëria është vendi i shtetit monist, i shtetit elektoral”.
Fraksion.com

