AktualitetPolitikëTë fundit

Miratohet Strategjia Kombëtare Kundër Ndërhyrjeve të Huaja dhe Dezinformimit, Braçe: Prioritet kombëtar

Komisioni i Posaçëm “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit” zhvilloi sot mbledhjen e fundit për këtë legjislaturë, ku u miratua projektligjii “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare Kundër Ndërhyrjeve të Huaja dhe Dezinformimit 2025-2030″.

Kryetari i Komisionit, Erion Braçe u shpreh se, “dezinformimi, shpërndarja e qëllimshme e informacioneve të rreme apo manipuluese është shndërruar në një sfidë urgjente për demokracinë anë e mbanë botës”.

“Në diskursin ndërkombëtar të sigurisë ky fenomen trajtohet shpesh nën termin “manipulim dhe ndërhyrje e huaj e informacionit”, i cili i referohet taktikave keqdashëse të aktorëve shtetërorë dhe joshtetërorë për të ndikuar dhe cenuar shoqërinë demokratike”, tha Braçe.

“Përhapja globale e teknologjisë digjitale dhe rrjeteve sociale e ka amplifikuar shumë shtrirjen në fushat e dezinformimit, duke i lejuar aktorët keqdashës të operojnë përtej kufijve shtetërorë të maskuar pas identiteteve të rreme dhe teknikave komplekse të propagandës”, tha ai.

Braçe solli shembullin e ndikimit të lajmeve të rreme gjatë pandemisë COVID-19 dhe konflikteve të armatosura, si lufta në Ukrainë.

Braçe theksoi se “si anëtare e NATO-s dhe vend kandidat në BE, Shqipëria njëkohësisht është vetë objektiv i këtyre kërcënimeve, ka interes jetik t’i harmonizojë politikat e saj me ato euroatlantike”.

“Strategjia e sigurisë kombëtare e Shqipërisë e vitit 2022 tashmë ka evidentuar se kërcënime moderne si dezinformimi nuk mund të përballen vetëm më mjete ushtarake, por kërkojnë qasje gjithëpërfshirëse diplomatike ligjore, shoqërore”, tha ai.

“Në cilësinë e një vendi partner, Shqipëria synon të intensifikojë bashkëpunimin me NATO-në dhe BE-në për adresimin e rreziqeve hibride. Kjo nënkupton shkëmbimin e informacionit, ndarjen e praktikave më të mira dhe koordinimin e përgjigjeve ndaj fushatave keqdashëse informative në nivel rajonal dhe global”, theksoi Braçe.

Kryetari i Komisionit nënvizoi se, “partnerë strategjikë të Shqipërisë si SHBA-të dhe vende kryesore të BE-së kanë mbështetur projekte për forcimin e rezistencës ndaj dezinformimit, qoftë nëpërmjet trajnimeve për gazetarët, krijimit të rrjeteve të verifikimit të fakteve apo asistencës teknike për institucionet ligjzbatuese në fushën kibernetike”.

Braçe shtoi se, produkt i punës së këtij komisioni është hartimi i Strategjisë Kombëtare Kundër Ndërhyrjeve të Huaja dhe Dezinformimit 2025-2030.

“Në prill 2024 Kuvendi ngriti Komisionin e Posaçëm “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit””, tha Braçe, teksa shtoi se, “krijimi i këtij komisioni demonstroi një mesazh të qartë politik, lufta kundër dezinformimit dhe ndërhyrjes së huaj keqdashëse është tashmë prioritet kombëtar, që kërkon vëmendje të veçantë në nivelin më të lartë legjislativ”.

Pasi bëri bilancin e punës së komisionit, Braçe u shpreh se, “Strategjia Kombëtare është dokumenti i parë gjithëpërfshirës në Shqipëri që adreson drejtpërdrejt fenomenet e manipulimit të informacionit në funksion të ndërhyrjeve të huaja keqdashëse”.

“Ajo synon të përcaktojë një platformë të unifikuar veprimi ku përfshihen objektivat, prioritetet dhe masat kryesore për mbrojtjen e shtetit, shoqërisë dhe qytetarëve nga ndërhyrje të huaja keqdashëse përfshirë dezinformimin”, tha ndër të tjera Braçe.

Ai theksoi se, kjo strategji kontribuon në forcimin e sigurisë kombëtare te vendit, teksa shtoi se, “duke adresuar dezinformimin, shteti synon të mbrojë të drejtën e publikut për t’u informuar saktë dhe me profesionalizëm”.

Ai theksoi se kjo strategji e konsideron median si aleate në këtë betejë kombëtare, teksa nënvizoi se, “duke miratuar këtë strategji, Shqipëria demonstron qartë vullnetin e saj për t’iu bashkuar përpjekjeve globale kundër dezinformimit”.

Braçe theksoi gjithashtu se, “është parashikuar ngritja e një Komiteti ndërinstitucional ose mekanizmi koordinues që do të mbikëqyrë zbatimin e strategjisë hap pas hapi në bashkëpunim të ngushtë me Kuvendin”.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com