Rama takon Rutte: NATO do të angazhohet për terminalin ushtarak në Durrës
Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në Samitin e nivelit të lartë të NATO-s, që po zhvillohet në qytetin e Hagës, në Holandë, më 24 dhe 25 qershor.
Në kuadër të punimeve të këtij samiti, Rama u prit në një takim nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
Rama informoi se temë e bisedimeve ndër të tjera ishte edhe investimi madhor për Portin e Ri të Durrësit, ku NATO do të angazhohet për terminalin ushtarak.
Po ashtu, Rama bëri të ditur se në takim u diskutua edhe mbi përgatitjet e Samitit 2027 në Tiranë.
“Kënaqësi të takoja Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe mikun e çmuar, Mark Rutte, me të cilin folëm për angazhimet e Samitit, Ballkanin Perëndimor, investimin madhor për Portin e Ri të Durrësit, ku NATO do të angazhohet për terminalin ushtarak, e po ashtu edhe për përgatitjet e Samitit 2027 në Tiranë”, u shpreh Rama.
Pak ditë më parë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte informoi mbi temat që do të trajtohen në samitin e NATO-s në Hagë, ndërsa shprehu bindjen se “NATO do të tregojë se qëndron në skenën botërore e aftë për të mbrojtur 1 miliard qytetarët e saj duke marrë të gjitha masat e nevojshme”.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s bëri të ditur se “në samit do të diskutohet së pari për më shumë shpenzime për mbrojtjen, që të jemi në gjendje të mbrojmë veten”.
“Por sigurisht paratë janë një gjë, ne duhet të përgatisim stafin, mbi të gjitha ushtarët tanë. Por kur vjen puna te industria ushtarake ne duhet të bëjmë më shumë sesa po bëjmë tani. Kjo do të jetë edhe tema e dytë e madhe e samitit”, informoi ai, ndërsa theksoi se temë e punimeve të samitit do të jetë edhe çështja e Ukrainës.
Fraksion.com

