Shefi i ushtrisë izraelite paralajmëron për ‘Fushatë të Zgjatur’ në Iran
Shefi i Ushtisë të Izraelit, Eyal Zamir, paralajmëroi të premten se vendi i tij duhet të jetë “gati për një fushatë të zgjatur” kundër Iranit, ndërsa armiqtë e hershëm shkëmbyen zjarr për të tetën ditë.
“Ne kemi nisur fushatën më komplekse në historinë tonë për të larguar një kërcënim të një madhësie të tillë, kundër një armiku të tillë. Ne duhet të jemi gati për një fushatë të zgjatur”, tha Zamir në një deklaratë video drejtuar izraelitëve.
Izraeli nisi sulme kundër Iranit të premten e kaluar, të cilat kanë kombinuar vrasje të synuara të personelit kryesor ushtarak me sulme ndaj objekteve bërthamore dhe raketore të Iranit.
Zamir tha se ushtria izraelite ishte përgatitur për “vite” për fushatën kundër Iranit, edhe ndërsa trupat izraelite vazhdojnë fushatën e tyre shkatërruese kundër grupit militant palestinez Hamas në Gaza.
“Operacioni iranian u bë i mundur falë konvergjencës së kushteve operacionale dhe strategjike, disa prej të cilave ishin të përkohshme”, tha Zamir, duke shtuar se “historia nuk do të na falte nëse nuk do të vepronim tani” kundër një “kërcënimi ekzistencial” për Izraelin.
Analistët thonë se Irani u dobësua rëndë nga sulmet izraelite ndaj grupeve militante aleate Hamas në Gaza dhe Hezbollah në Liban që nga viti 2023, ndërsa Izraeli dëmtoi mbrojtjen ajrore të Teheranit në shkëmbimet e armiqësive midis vendeve vitin e kaluar.
Zamir përshëndeti “rezultatet e jashtëzakonshme” nga pilotët e avionëve luftarakë që fluturonin misione “në gamën dhe intensitetin më të madh në historinë e forcës (ajrore)”.
Ai tha gjithashtu se izraelitët duhej të përgatiteshin për më shumë vështirësi, pasi vendi sulmohet çdo ditë nga raketat balistike iraniane.
“Edhe pse kemi bërë arritje të rëndësishme, ditë të vështira ende na presin. Ne duhet të qëndrojmë vigjilentë dhe të bashkuar derisa misioni të përfundojë”, shtoi ai.
Fraksion.com

