Vilën e kishin bërë ‘strofkë’ prostitucioni: Arrestohen 4 kineze në Durrës
Zbulohet një rrjet prostitucioni në Durrës me të huaja. 4 shtetase kineze u vunë në pranga, ndërsa shpallet në kërkim një shtetase angleze.
Pas dy javësh hetime me metoda proaktive, Policia vuri në pranga katër shtetase kineze, mes të cilave edhe organizatorja e dyshuar e kësaj veprimtarie kriminale, 46-vjeçarja F. W. Po ashtu, u shpall në kërkim edhe një tjetër organizatore e dyshuar, shtetasja angleze K. P., 46 vjeçe, me banim në Mbretërinë e Bashkuar.
Përveç katër arrestimeve, në kuadër të operacionit u proceduan penalisht edhe 10 shtetas të tjerë, 2 gra kineze dhe 8 shtetas shqiptarë, për veprën penale “Prostitucioni”.
Gjatë kontrollit në vilën e marrë me qira, policia sekuestroi si provë materiale 6 pasaporta të shtetaseve kineze, shuma të konsiderueshme parash në euro dhe dollarë, disa karta banke dhe celulare. Policia dhe Prokuroria kanë nisur hetime të mëtejshme për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë në rrjetin e shfrytëzimit të prostitucionit, i cili dyshohet se kishte lidhje me persona jashtë territorit shqiptar.
Materialet i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë Durrës.
Fraksion.com

