Policia Kufitare shpëton nga mbytja dy persona në liqenin e Pogradecit
Policia Kufitare Korçë njofton se u ka shkuar në ndihmë dy shtetasve që rrezikoheshin të mbyteshin në liqenin e Pogradecit, për shkak të motit të keq.
Sipas njoftimit, shërbimet e Policisë reaguan me shpejtësi duke bërë të mundur lokalizimin dhe kthimin e sigurt në breg të dy shtetasve, babë e bir, që kishin dalë për peshkim në liqen.
Në sallën operative të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë kishte mbërritur një telefonatë për ndihmë nga dy shtetas, të cilët kishin dalë me varkën e tyre për peshkim dhe, për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike, nuk po mundeshin të ktheheshin në breg.
Policia bën me dije, se menjëherë pas marrjes së telefonatës, u angazhuan shërbimet e Policisë Kufitare, të cilat, me mjetin lundrues “Skaf”, lokalizuan varkën rreth 1,5 milje larg bregut dhe bënë të mundur kthimin e sigurt të dy shtetasve në mol.
Në njoftim thuhet se gjendja shëndetësore e dy shtetasve është e mirë.
Qytetarët (babë e bir) falënderuan shërbimet e Policisë për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar.
Policia Kufitare mbetet e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve, vizitorëve dhe turistëve, dhe fton këdo që ndodhet në nevojë të telefonojë në numrin pa pagesë 112.
Fraksion.com

