Fast Albania ndihmon në arrestimin e malazezit me rrezikshmëri të lartë në Spanjë
Një 43-vjeçar malazez me rrezikshmëri shoqërore është arrestuar në Spanjë, i shpallur në kërkim nga autoritetet në Podgoricë për pjesëmarrje në grup kriminal.
Policia e Shtetit bën me dije se falë informacionit të siguruar nga FAST Albania në varësi të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale dhe shkëmbimit të tij në kohë reale me homologët, u bë e mundur kapja nga Policia spanjolle e një shtetasi malazez me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Sipas Policisë, FAST Albania kontribuon në një tjetër operacion të rëndësishëm ndërkombëtar, të koordinuar nga rrjeti ENFAST.
“Shtetasi D. F., 43 vjeç, i kërkuar nga autoritetet malazeze për pjesëmarrje në një organizatë kriminale me veprimtari në fushën e narkotikëve, u arrestua në Spanjë nga autoritetet policore të këtij vendi”, thuhet në njoftim.
Policia nënvizon se “kapja e tij u bë e mundur si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes FAST Albania, FAST Spain dhe FAST Montenegro, nëpërmjet rrjetit të bashkëpunimit europian ENFAST.
Gjykata e Podgoricës i kishte caktuar shtetasit D. F. masën e sigurisë “Arrest në burg”, në muajin prill 2025, për dyshime të forta për përfshirje në veprimtari kriminale në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal”.
Fraksion.com

