AktualitetLife StylePolitikëTë fundit

“Peshku i madh e ha të voglin”/ Berisha rrëfen rininë në “Flet” me Ilnisa Agollin: U shkëputa nga vendlindja, doja patjetër të ndiqja shkollën!

“Flet” me Ilnisa Agollin u rikthye mbrëmë në ekranin e Top Channel, ku i ftuari i parë i këtij sezoni ishte kreydemokrati Sali Berisha.

Kreu i PD, bëri një rrëfim ndryshe nga çfarë jemi mësuar të dëgjojmë.

Çfarë mbani mend nga fëmijëria juaj?

Berisha: Mbaj mend çdo gjë. Fëmijëria është e stamposur në memorien time në mënyrën më të fuqishme, në të gjitha aspektet. Në shkollë, parashkollë, në verën në Bjeshkë, në vjeshtën e bukur të Tropojës, në pamjet madhështore që ka aty ku unë jam lindur dhe jam rritur.

Keni ndierë ndonjëherë të shkëputeni prej vendlindjes?

Berisha: Unë jam shkëputur nga vendlindja në moshën 14-vjeçare, për arsye shkolle. Doja patjetër të ndiqja shkollën, sepse aty mundësi shkolle nuk kishte. Për të ndjekur shkollën duhet të vije ose në Shkodër, ose në Tiranë. Atëherë sa ishte hapur gjimnazi dhe mua më doli një bursë për në Bashkimin Sovjetik, për të vazhduar shkollën e mesme dhe të lartë. Por pas 10 ditësh, me rregullin e ‘peshku i madh e ha të voglin’, atë bursë e mori dikush tjetër. Pastaj më propozuan që të shkoja në Bullgari për një shkollë bujqësore, por dhe ajo avulloi. Këtu më dhanë një gjysmë burse për shkollën mjekësore në Tiranë. Jam shkëputur nga vendlindja në moshën 14-vjeçare, por deri në moshën 27-vjeçare unë pushimet i kaloja çdo verë atje. Alpet janë një magji e vërtetë, janë një frymëzim për njeriun.

Ishit më i qeshur në rini, apo tani që keni parë dhe mësuar çdo gjë?

Berisha: Në rini, çfarë isha unë? Isha social, por në një kuptim të tillë… Nuk merrja pjesë në aktivitete tejkaluese. Në rini përpiqeshim të imitonim modën dhe dy ishin mënyrat. Një, me pantallonat, që tani kanë ardhur përsëri në modë, që i quanim zvin. Dhe e dyta për flokët, përpiqeshim t’i mbanim sa më të gjata, si Beatles. Beatles ishin një pasion kaloktiv, një dashuri kolektive e paimagjinueshme. Për ne ata mbeten më shumë se muzikë, mbeten filozofi. Përpiqeshim të gjenim revista dhe blinim libra të ndaluar. Fillimisht edhe problemi i librave, ishte shumë i kodifikuar. Sepse Enver Hoxha ndaloi me një dekret të gjitha librat e para ’44. Dhe kjo pastaj, prisnim vetëm libra të autorëve tanë, ose përkthime sovjetike. Filluan pastaj të përkthehen, ka patur vite me përkthime të shumta, ajo që quhej realizëm kritik, që mund të kalonin. Ne kemi autorë dhe përkthyes të mëdhenj. Po të lexosh Nolin, ka përkthime të Shakespear, që në vlerësimin tim modest, tejkalojnë Shakespear. /tch

 

 

Fraksion.com