Gjendet arsenal armësh në një banesë në Vlorë: Armë zjarri, mbi 2200 fishekë dhe granata
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë ushtruar kontroll në një ndërtesë të vjetër të pabanuar, në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, në katin e dytë të së cilës gjetën të murosura disa armë dhe municion luftarak.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 2 armë zjarri automatike, 12 granata difensive pa ndezës, 14 ndezës granatash të mbështjellë me letër dhe rreth 2200 fishekë luftarak.
Nga verifikimet rezultoi se ndërtesa ku u gjetën armët dhe municioni është në pronësi të shtetasit Gj. K., 67 vjeç, banues në lagjen “Hajro Çakërri”, i cili, në përfundim të veprimeve procedurale, është proceduar penalisht në gjendje të lirë, për shkak të moshës dhe të gjendjes shëndetësore.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Fraksion.com

