AktualitetBota+Të fundit

DASH: Ambasada e SHBA-së në Jerusalem do të mbyllet përkohësisht!

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Jerusalem do të qëndrojë e mbyllur nga e mërkura deri të premten, si pasojë e përkeqësimit të situatës së sigurisë në rajon dhe në përputhje me udhëzimet e autoriteteve izraelite.

Në një deklaratë  të publikuar në platformën X, Departamenti i Shtetit të SHBA-së konfirmoi mbylljen e përkohshme, duke përfshirë edhe Seksionet Konsullore në Jerusalem dhe Tel Aviv.

“Duke pasur parasysh situatën e sigurisë dhe në përputhje me udhëzimet e Komandës së Brendshme të Izraelit, Ambasada e SHBA-së në Jerusalem do të jetë e mbyllur nesër (e mërkurë, 18 qershor) deri të premten (20 qershor). Kjo përfshin Seksionet Konsullore në Jerusalem dhe Tel Aviv,” thuhet në deklaratë.

Mbyllja vjen në një moment të tensioneve të rënda ushtarake mes Izraelit dhe Iranit, me shkëmbime të vazhdueshme sulmesh dhe një situatë të brishtë sigurie në të gjithë territorin izraelit. Autoritetet amerikane nuk kanë dhënë detaje mbi ndonjë kërcënim specifik, por kanë theksuar se masa është marrë për sigurinë e stafit diplomatik dhe qytetarëve amerikanë në zonë.

Shtetasit amerikanë në Izrael këshillohen të ndjekin njoftimet zyrtare, të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme dhe të qëndrojnë të informuar përmes kanaleve të komunikimit të Ambasadës dhe autoriteteve lokale.

 

Fraksion.com