Mbeti i plagosur me ‘Jet Ski’ në Durrës, si është gjendja e 21-vjeçarit belg
21-vjeçari belg që mbeti i plagosur pas një aksidenti me Jet Ski në zonën e Shkëmbit të Kavajës, në Durrës, është jashtë rrezikut për jetën, po ka pësuar dëmtime dhe goditje në kokë gjatë rënies nga motori i ujit.
Menjëherë pas incidentit, pronari i subjektit që jepte Jet Ski me qira, Skerdilajt Xhametaj, ka ndërhyrë për t’i dhënë ndihmën e parë. Ai është nisur me një tjetër mjet lundrues drejt vendit të ngjarjes, ka nxjerrë të plagosurin nga uji. Më pas turisti u transportua fillimisht në spitalin rajonal të Durrësit, për t’u dërguar më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë.
I riu belg është jashtë rrezikut për jetën, po ka pësuar dëmtime gjatë manovrës me shpejtësi dhe rënies në det. Policia po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore.
Në fillim të qershorit një 34-vjeçar britanik humbi jetën nga mbytja pas rrëzimit në det, në të njëjtën zonë të plazhit të Durrësit, teksa po bënte manovra me një jet ski bashkë me shoqen e tij, që shpëtoi pa pasoja.
Fraksion.com