AktualitetBota+Të fundit

Lideri suprem i Iranit fshihet në bunker me familjen, Trump “urdhër” Izraelit: Mos e vrisni!

Lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei u zhvendos me shpejtësi në një bunker nëntokësor në Lavizan në verilindje të kryeqytetit, Teheran pak orë pasi Izraeli filloi sulmet e tij mëngjesin e së premtes, thanë për Iran International dy burime në dijeni të çështjes.

Burimet në fjalë pretendojnë se të gjithë anëtarët e familjes së udhëheqësit shpirtëror të Republikës Islamike, duke përfshirë djalin e tij Mojtaba, po qëndrojnë aty së bashku me të. Sipas disa raporteve në mediat e huaja megjithatë, presidenti amerikan Donald Trump i ka vënë veton planit izraelit për vrasjen e ajatolahut.

Agjencia e lajmeve Reuters ishte e para që raportoi lajmin, duke cituar dy zyrtarë të paidentifikuar amerikanë. Associated Press më vonë publikoi të njëjtin raport, duke cituar një burim të paidentifikuar amerikan. “A kanë vrarë iranianët ndonjë amerikan deri tani? Jo. Atëherë, përderisa kjo nuk ka ndodhur, ne nuk flasim për goditje të udhëheqjes politike”, tha një nga burimet, një zyrtar i lartë i administratës amerikane, për Reuters.

Në një intervistë me Fox News, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u pyet në lidhje me raportet, të cilave ai iu përgjigj duke thënë: “Ka kaq shumë raporte të rreme për biseda që nuk kanë ndodhur kurrë, dhe nuk dua t`i hyjë kësaj teme.”

Izraeli argumenton se sulmet e tij ndaj udhëheqësve kryesorë ushtarakë të Iranit, uzinave të pasurimit të uraniumit dhe shkencëtarëve bërthamorë janë të domosdoshme për ta ndalur Iranin nga zhvillimi i armëve bërthamore.

Irani, nga ana tjetër, ka këmbëngulur gjithmonë se programi i tij bërthamor është paqësor, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera kanë vlerësuar se Teherani nuk ka ndjekur zhvillimin e një arme bërthamore që nga viti 2003.

Megjithatë, në vitet e fundit Irani ka pasuruar sasi gjithnjë e më të mëdha uraniumi në nivele pranë atyre për prodhimin e armëve, dhe besohet se ka kapacitetin për të zhvilluar disa armë bërthamore brenda pak muajsh, nëse vendos ta bëjë një gjë të tillë.

 

Fraksion.com