Izraeli sulmon fushën e gazit në Iran, më e madhja në botë
Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë fushën gjigante të gazit South Pars në Iran, depozitën më të madhe të gazit natyror në botë, pas një sulmi të dyshuar me dron nga Izraeli, raportojnë mediat shtetërore iraniane.
Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë flakë të mëdha dhe re të dendura tymi që ngrihen nga provinca jugore Bushehr, ku ndodhet kjo fushë strategjike. Sipas Ministrisë së Naftës së Iranit, objektivi i sulmeve ishin dy fusha të mëdha gazi, përfshirë edhe kompleksin South Pars – faza 14, që luan rol kyç në furnizimin me energji të vendit.
Kjo është hera e parë që raportohen sulme të drejtpërdrejta izraelite ndaj infrastrukturës energjetike iraniane, duke shënuar një përshkallëzim të rrezikshëm të tensioneve në rajon. Aktualisht, autoritetet iraniane janë në gatishmëri të lartë, ndërsa nuk ka ende të dhëna të konfirmuara për viktima apo dëme të plota materiale.
Sipas burimeve të afërta me agjencitë iraniane të sigurisë, sulmi është kryer me dronë të vegjël të avancuar, të cilët kanë depërtuar në hapësirën ajrore pa u zbuluar në kohë.
Situata në rajon mbetet e tensionuar, ndërsa komuniteti ndërkombëtar i bën thirrje palëve për vetëpërmbajtje dhe shmangie të një konflikti të gjerë.
Fraksion.com